
Besard Pashkaj, 26 vjeç ka rënë në prangat e policisë së kryeqyetit pas katër vitesh në kërkim, pas një plagosje të dyfishtë. Ngjarja e regjistruar më 2021, erdhi pas një konflikti çasti në rrugën ‘Todi Shkurti’, ku Aldo Gjini, autori kryesor i ngjarjes, la të plagosur Altin Gjokën dhe Jetmir Marashin, ndërkohë 26 vjeçari Besard Pashkaj dhe Njazi Kulla u cilësuan si bashkëpunëtorë të tij.
Per 26 vjeçarin Gjykata ka caktuar masën e sigurisë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Asokohe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 mjete, njëri prej të cilëve ishte “Audi” në përdorim nga autori i ngjarjes.
Ngjarja nisi nga një konflikt i çastit, midis dy të dëmtuarve dhe autorit Aldo Gjini. Fillimisht dyshohet se pati një fërkim të makinave në lëvizje të djemve në rrugën “Todi Shkurti” pranë tregut Elektrik. Për të parë se kush e kishte fajin në përplasjen e automjeteve, ata tentuan të shohin kamerat e sigurisë së lokalit, por kjo shkaktoi një sherr verbal mes tyre dhe Aldo Gjinit.
Ky i fundit nxori pistoletën dhe qëlloi në drejtim të Gjokës dhe Marashit për tu larguar më pas me shpejtësi me makinë.
