Sekretarja e Përgjithshme e ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro është arrestuar këtë të premte.

Arrestimi është kryer me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Duro dyshohet për korrupsion.

Në pranga është vënë edhe një tjetër punonjëse e ministrisë së Shëndetetësisë, identiteti i së cilës ende nuk është bërë i ditur.

Mbi ngjarjen reagoi pak më parë edhe kryeministri Edi Rama, i cili në turin e tij të falënderimeve në Tiranë, u shpreh se është e tmerrshme mungesa e sensit të etikës dhe të bihet në këtë nivel.

“Para pak orësh dëgjova për një situatë që realisht të vë në siklet të jashtëzakonshëm. Një sekretare e përgjithshme që kapet në flagrancë duke marrë lekë. Si mund të ndodhë kjo? Ana e pëlqyeshme e kësaj medalje është që kapet një person që është i padenjë për të qëndruar në një zyrë shteti.

Uroj të ketë sa më shumë të tilla, por nuk mund të uroj që sa më shumë të tillë njerëz të bëjnë gjëra të tilla. Është realisht diçka e rëndë. Mungesa e sensit të patriotizmit, sensit të detyrës, mungesa e sensit të etikës, në pikën që në një detyrë të rëndësishme të biesh në këtë lloj niveli është realisht e tmerrshme”, tha Rama./

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re