Lajmi se vaksina e Pfizer-it është 90 për qind efektive kundër COVID-19 është ofruar si një moment historik në luftën globale kundër koronavirusit.

Megjithëse vaksina financohet nga gjiganti farmaceutik amerikan, pjesa shkencore e punës është ajo e BioNTech, një kompani gjermane e themeluar nga mjekët e përkushtuar me origjinë turke, çifti Ugur Sahin dhe Ozlem Tureci, shkruan Sky Neës britanik.

Shkencëtarët dhe sipërmarrësit, Profesor Sahin, 55 vjeç dhe Dr. Tureci, 53 vjeçe, janë midis 100 gjermanëve më të pasur dhe vlera e kompanisë së tyre BioNTech është rritur në 21 miliardë dollarë që nga zbulimi i vaksinës.

Ata ishin të dy fëmijë emigrantësh dhe të dy vinin nga familje të varfra.

CEO i BioNTech, Sahin lindi në qytetin turk të Iskenderun. Ai u transferua në Gjermaninë Perëndimore kur ishte katër vjeç. Babai i tij ishte një punëtor emigrant në fabrikën e Ford-it në Këln.

Ndërsa Dr. Tureci, e cila është mjekja kryesore në kompani, ka lindur në Gjermani dhe është vajza e një mjeku turk i cili migroi nga Stambolli.

Sahin u trajnua si mjek ndërsa studionte në Këln dhe Hamburg, dhe vëmendjen e përqendroi në hulumtimin e imunoterapisë. Ai u takua me Dr. Tureci në fillim të karrierës së tij akademike.

Dr. Tureci tha në një intervistë se edhe në ditën e martesës ata të dy gjetën kohë për punë në laborator.

Çifti transferoi pasionin e tyre për kërkime dhe onkologji te kompania e tyre e parë – Ganymed Pharmaceuticals, të cilën e themeluan në 2001. Kompania ka filluar hulumtimin për mundësinë e përdorimit të një kodi të modifikuar gjenetik (mARN) dhe zhvillimin e antitrupave për të luftuar kancerin.

Në vitin 2016, ata e shitën kompaninë për një miliard e 400 milion dollarë. Në ndërkohë, ata tashmë ishin duke punuar në themelimin e BioNTech, i cili u krijua në 2008, dhe përfshinte një gamë shumë më të gjerë të mjeteve të trajtimit të kancerit.

Puna e këtyre bashkëshortëve në kodin gjenetik të ARN-së provoi të jetë thelbësore në zhvillimin e vaksinës për COVID-19.

Studimet kanë treguar se vaksina, e cila përdor materialin gjenetik të mARN për të inkurajuar trupin të prodhojë antitrupa, është 90 përqind e efektshme.

Bashkëprofesorët e Sahin e përshkruajnë atë si tejet modest, paçka arritjeve kaq impresionuese.

Matthias Theobald, një profesor i onkologjisë në Universitetin e Mainz, ku Profesor Sahin jep mësim edhe sot, thotë: “Ai është një person shumë modest”.

Matthias Kromayer, një anëtar bordi i MIG AG, i cili mbështet financiarisht BioNTech, thotë: “Pavarësisht arritjeve të tij, ai kurrë nuk ka ndryshuar dhe ka mbetur tepër modest”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re