ARRSH hap aplikimet për praktika të paguara për studentet e inxhinierisë

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur aplikimet për programin e praktikës profesionale të paguar, i cili synon të nxisë përfshirjen e studenteve të shkencave inxhinierike në sektorin e infrastrukturës rrugore.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku bëri të ditur se aplikimet do të jenë të hapura deri më 17 tetor.

“Një mundësi për të gjitha studentet e diplomuara dhe ato që janë në vitin e fundit të studimeve universitare në shkencat inxhinierike. Rekrutojmë profesionistë të rinj, duke krijuar më shumë hapësira për studentët dhe të sapo diplomuarit”, u shpreh Balluku.

Ky program vjen në kuadër të një marrëveshjeje të nënshkruar mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, në fillim të kësaj jave.

Marrëveshja ka për qëllim mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara, duke i aftësuar profesionalisht dhe duke u dhënë mundësinë të njihen nga afër me proceset reale të zhvillimit të infrastrukturës në vend.

Sipas marrëveshjes, faza e parë e programit parashikon përfshirjen e 10 studenteve me kohë të plotë pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), ndërsa faza e dytë do të vijojë me 15 studentë të tjerë. Kohëzgjatja e praktikës do të jetë 6 muaj për të diplomuarit dhe 3 muaj për studentët në vit të fundit, duke u përshtatur me kurrikulën universitare.

Studentet do të përfshihen në sektorë të ndryshëm të ARRSH-së dhe do të kryejnë vizita javore në terren, për të njohur nga afër proceset e zhvillimit të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e urave, tuneleve dhe segmenteve të reja rrugore.