Një ditë pas akuzave të bëra nga kreu i PD, Lulzim Basha, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka reaguzr në lidhje me projektin për ndërtimin e Unazës së Re. Në një deklaratë për mediat, ARRSH hedh poshtë deklaratat e kreut të PD, duke thënë se projekti është në përputhje të plotë me ligjin dhe se është vazhdim i projektit të Bashës.
 
“ARRSH, si organ më i specializuar dhe që ka financuar e menaxhuar projektet dhe ndërtimet e segmenteve të tjera të kësaj Unaze, është vënë në lëvizje për këtë projekt nga kërkesa e Bashkisë Tiranë me shkresën nr. 3792 prot dt. 25.01.2018. Kështu, ARRSh-ja sot (apo ish-DPRR-ja) ka ndjekur të njëjtën praktikë siç u ndoq në kohën kur Bashkinë e Tiranës e drejtonte Kryetari aktual i Partisë Demokratike z. Lulzim Basha. ARRSH-ja do të vazhdojë të jetë konsekuente në hartimin e projekteve sipas kushteve teknike, duke realizuar zgjidhje afatgjata në drejtim të zhvillimit”.
 
Sipas ARRSH këtij projekti i është shtuar edhe projekt zbatimi i hartuar e i miratuar po nga Bashkia Tiranë në vitin 2013.
 
“Sistemimi i lumit të Lanës dhe rrugët paralele në të dyja anët, nga ura e shkozës deri te materniteti i ri i Tiranës, me një gjatësi rreth 1.6 km, ku seksioni tërthor i saj është po i kategorisë A urbane.
 
Nga ky projekt ka mbaruar së ndërtuari loti 1 dhe po ndërtohen lotet 2 dhe 3, dhe segmenti nga Materniteti i ri – Shkozë. Janë pa u ndërtuar akoma edhe tre lote nga Ura e Shkozës deri në Babrru (lumi i Tiranës)”.
 
Ndër të tjera në reagimin e saj ARRSH-ja thekson se është e bindur mbi domosdoshmërinë e përfundimit të të gjithë unazës sepse në situatën e sotme të zhvillimit të rrjetit rrugor në Shqipëri, do të shërbejë si lidhje me akset nacionale të rrjetit rrugor duke lidhur pjesën veriore të Shqipërisë me pjesën juglindore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re