Studentët nuk janë dakord me planin e bërë publik paraditen e sotme nga ministrja Besa Shahini për provimet, diplomat, por edhe rikthimin në auditore. Sipas tyre, kishte disa vendime të padrejta. Ata kanë folur që në nisje të deklaratës së tyre për autonominë universitare, për të cilën thonë se propaganduar më shumë zhurmë.
Për ta kjo është edhe pika e parë e kundërshtimit, edhe pse koha në të cilën bëhet fjalë lidhet me pandeminë botërore. Unioni i Këshillave studentorë kërkon nga universitetet që të mos luajnë rolin e spektatorit në këtë situatë. Shumë universitete nuk kanë dalë ende ne një deklaratë për procedimin e mësimit në vazhdim.
Si pikë të dytë të peticionit të tyre, ata ngrenë çështjen e mësimit online. “Të vazhdohet me metodën online mësimdhënia deri në përfundim të planit mësimor”. Në këtë pikë janë lënë pa marrë parasysh mundësitë e studentëve për akses të detyrueshëm në internet për të cilat Unioni i Këshillave Studentorë e ka ngritur si shqetësimin kryesor që në fillim të kësaj situate – thuhet në deklaratën e tyre.
Ndërsa kthimin në auditore e kanë cilësuar thjesht “sajesë”. Për sa i përket kthimit në auditore në datë 25 Gusht nuk janë marrë parasysh mundësitë që u janë hequr studentëve duke e reduktuar vetëm në një sezon mundësinë e dhënies së provimeve – thuhet në deklaratën për median nga Unioni Studentor.
Studentët morën një njoftim jo fort të këndshëm duke i vënë para një fakti të kryer, mundësia do jetë një dhe e vetme për provimet e mbartura apo dhe për përmirësim note. Duke qenë se në të gjitha universitet studentët ende kanë provime të pa dhëna nga sezoni i parë (sezoni i dimrit) do të sillte mbingarkesë provimesh. Problem tjetër që shkakton heqja e një sezoni është dhe mundësia për djegien e vitit për shumë studentë që rrezikojnë të mos përmbushin numrin e caktuar te krediteve që duhet për të kaluar vitin akademik.
Në këtë kërkesë duam të ritheksojmë që të gjithë studentët si pjesë e familjeve të prekura njëkohësisht nga situata e krijuar si pasojë e pandemisë COVID-19 , marrja e shërbimeve minimale nga universitetet dhe të ardhurat që përfaqësohen në shumicë vetëm nga pagat e luftës që po merren, të cilat janë një mënyrë e mbulimit të kostove dhe shpenzimeve familjare, është e qartë dhe e kuptueshme se aspekti financiar përbën një problem shumë të ndjeshëm për studentët në këto kushte në të cilat jemi – thuhet në deklaratën e tyre.
Nisur nga të gjitha ato çfarë është thënë deri tani, Unioni Studentor kërkon rishikimin e detyrimeve të tarifave të shkollimit për vitin akademik 2019-2020 dhe rimbursimin e pagesës për të gjithë studentët qe jetojnë në rezidenca.
