Nga Adriatik Doçi

Arsyet e përplasjeve të dhunshme mes grupit të Sali Berisha dhe grupit të Lulzim Bashës për të kontrolluar selinë e Partisë Demokratike, në një nga zonat më të lakmueshme të Tiranës, nuk janë ato që duken. Pas luftës për jetë a vdekje të Sali Berishës për të marrë me forcë selinë e PD-së, duke dëbuar Lulzim Bashën dhe rrethin e tij, duket se fshihen interesa të fuqishme për megakulla me vlerë dhjetëra milionë euro që projektohen në atë zonë.

Report Tv ka zbuluar një projekt për ndërtimin e tre kullave luksoze dhe gjigante, pikërisht në vendin ku ndodhet sot selia e Partisë Demokratike, më parë Shtëpia e Oficerëve, por që u tjetërsua në vitin 2013 nga Sali Berisha, para largimit nga pushteti, në bashkëpunim me ish ministrin e Brendshëm Flamur Nokën dhe ish Presidentin Bujar Nishani.

Projekti është bërë nga një studio arkitekturore indiane, NBM Media, ndërsa përshkruhet vendi i zbatimit, mes Parlamentit, Xhamisë dhe Kishës Katolike, që përkon pikërisht me selinë e PD-së. E themeluar në vitin 1995, studioja indiane konsiderohet më e madhja në industrinë e ndërtimit në Indi dhe Azinë Jugore. (Linku i projektit).

Në përshkrimin e projektit thuhet ndër të tjera se projekti parashikon “një hotel të klasit botëror, apartamente luksoze dhe zyra komerciale, dyqane dhe parkim të bollshëm. Për më tepër, hapësira jashtëzakonisht të larmishme në natyrë, kopshte të bukura të gjelbëruara dhe zona inovative për shikimin e njerëzve, ky zhvillim arkitektonik mahnitës me përdorime të përziera do të bëhet një destinacion historik në Tiranë, por gjithashtu do të shërbejë me krenari si vitrinë e botës”.

Duket se Sali Berisha dhe Lulzim Basha janë në dijeni të këtij projekti, me të cilin publiku njihet për herë të parë. Duke pasur nën kontroll selinë e Partisë Demokratike, ata duket se kanë menduar se do të bëhej kësisoj pjesë e projektit me vlerë dhjetëra milionë euro. Nuk ka një arsye më bindëse dhe domethënëse e luftës së egër dhe përplasjeve të dhunshme në prag gjakderdhje, për të kontrolluar selinë e Partisë Demokratike. Në fund të fundit legjitimitetin nuk ta jep një godinë, por mbështetja e strukturave, mbledhjet dhe vendimmarrjet brenda kornizave të statutit.

Sali Berisha apo Lulzim Basha mund të marrin edhe një godinë më qira dhe të pretendojë secili se është kryetari i Partisë Demokratike. Por, lufta është përqendruar pikërisht për godinën shtetërore, që u rrëmbye 9 vjet më parë nga Sali Berisha, dhe për të cilën ka një projekt për një ndërtesë gjigante.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re