Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paeksozuarit” në MCN TV është shprehur se, grupet kriminale në Shqipëri sot fitojnë tenderë publikë dhe tashmë drejtuesit e tyre, janë kthyer në biznesmenë.
“Pas Vlorës, qytet tjetër problematik për drogën, është Fieri. Ata janë shumë të organizuar, kanë aftësi dhe kanë korruptuar agjencitë e zbatimit të ligjit dhe pushtetin vendor. Sot grupet e Fierit kanë minimumi dy ose tre kompani legale, të cilat marrin pjesë në tenderë publikë. Ata janë biznesmenë sot, po të godasësh sot një grup në Fier lë 500 vetë pa punë.
Fieri nuk ka problematikë krimi, nuk ka atentate, vrasje, ndryshe nga Vlora, sepse ka balanca, që i kanë ruajtur, janë grupe me traditë.
Një tjetër qark problematik është Shkodra. Në Shkodër nis beteja për larje hesapesh dhe pastaj kalon në hasmëri dhe pastaj futen në lojë dhe njerëz që nuk janë përfshirë në trafik. Shkodra ka një problematikë tjetër, është shumë e ashpër, atje nuk ka Gjykate Administrative, vjen grupi i zjarrit dhe mbaron historia, prandaj ka kaq shumë vrasje atje. Në Shkodër ka zona të tëra që policia nuk hyn dot, nuk shkel dot atje. Shteti, sot në Shkodër, është i paaftë të ndërhyjë”, tha Hoxha. /TPZ.al/