Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtari i Këshillit Kombëtar, Romeo Gurakuqi tha se ka krijuar përshtypjen në PD prej momentit të djegies së mandateve në shkurt të 2019-s se vendimmarrja në parti nuk ishte e Lulzim Bashës.

“Logjika e veprimeve të tij ishte e kundërt me komunikimin me arsyetimin e tij në prapaskenë dhe me arsyetimin e përgjithshëm.

Është një përshtypje nga larg. Për vendimmarrjet kryesore që kanë ndodhur, përfshirë edhe Kuvendin e fundit, ku asgjë nuk u krye. Problemi themelor që ka PD është me lirinë dhe të vërtetën”, tha ai në Top News.

Ish-deputeti u shpreh se ka një situatë konformizmi brenda partisë, ku të gjithë pajtohen me vendimmarrjen diku tjetër, ku as e shohin dhe as e dinë se ku.

“Ka një situatë konformizmi i përgjithshëm i të gjithë grupit parlamentar për t’u përkulur para një vendimmarrje që merret diku tjetër dhe nuk shihet se ku dhe që lidhet me qëndrimin e një opozite të djathtë në raport me pushtetin”, u shpreh ai.

Gurakuqi tha se problemet e PD janë të mëdha dhe ato nuk i zgjidh as 11 dhjetori dhe as 18 dhjetori. Ai u shpreh se personalisht është për një konventë përbashkuese madhore për demokratët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re