Qindra qytetarë të Kosovës kanë mbërritur që në orët e para të mëngjesit në vendin tonë, për të qenë pjesë e festimeve të festave të Pavarësisë dhe Çlirimit. Fax News ka qenë sot në pikën kufitare të Morinës, ku policia ka shtuar sportelet, janë 7 të tilla që shërbejnë për të shmangur radhët.

Qytetarët shprehen se ka zgjatur shumë pak procedura në kufi, edhe pas porosive të lëna dje nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Kosovës Albin Kurti, të cilët kërkuan lehtësimin e procedurave.

Në disa intervista të dhëna për Fax News, qytetarët e Kosovës shprehen se këto masa janë të vonuara, dhe nuk ka nevojë që të ketë kufij mes dy shteteve.

Sa i takon masave anticovid ato mbeten në fuqi, ku qytetarët duhet të paraqesin ose pasaporën e vaksinimit, testin negativ  që të jetë kryer në 72 orët e fundit, ose dëshmi që e kanë kaluar Covid në 6 muajt e fundit.

Këto masa vlejnë njësoj në të dyja anët e kufirit.

“Po shkojmë në Tiranë për festa, do të shkojmë dhe në Vlorë, nuk kemi pritur fare në doganë. Shqipëria dhe Kosova janë një”, shprehet një prej qytetarëve.

“Gjithçka ka qenë në rregull në doganë, do të shkojmë për pushime në Tiranë për festa”, tha një tjetër shqiptar i Kosovës që po udhëtonte drejt Shqipërisë.

‘Krejt duhet ti heqin procedurat në doganë’, u shpreh për Fax News një tjetër qytetar.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re