Pilotimi i votimit elektronik nuk do të bëhet as në qytetin e Korçës dhe as në qytetin e Fierit, por në një zonë të Bashkisë Tiranë.

Në projektvendimin që u miratua mbrëmjen e kësaj të premteje, pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik do të kryhet në një nga zonat administrative zgjedhore që i përket Bashkisë së Tiranës.

Ky është vendimi i fundit i KQZ-së, ku përfaqësuesit e palëve politike kanë vendosur për të zhvilluar projektin e pilotimit të votimit dhe numërimit elektronik në një zonë të Bashkisë së Tiranës.

Ndërkohë caktimi i zonës do të bëhet në ditët në vijim dhe do të jetë një vendimmarrje e kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashit.

Njoftimi i KQZ-së:

“Projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik do të zbatohet në një ZAZ në bashkinë e Tiranës.

Komisioni Rregullator shqyrtoi dhe miratoi projekvendimin “Për disa ndryshime në vendimin nr. 4, datë 13.11.2020, të Komisionit Rregullator

, “Për llojin dhe karakteristikat teknike që duhet të plotësojnë sistemet dhe pajisjet e votimit dhe numërimit elektronik që prokurohen dhe përdoren në zgjedhje në Republikën e Shqipërisë”.

Në ndryshimin e miratuar percaktohet zbatimi i projektit pilot në një Zonë të Administrimit Zgjedhor në Bashkinë e Tiranës, e cila ka në juridiksionin territorial të saj jo më shumë se 55 qendra votimi.”

Kujtojmë se Partia Demokratike propozoi dy qarqe pilot për votimin dhe numërimin e votave në mënyrë elektronike. Ka qenë sekretari i PD Gazment Bardhi ai i cili i është përgjigjur kërkesës së KQZ-së për dy qarqet që do të propozoheshin prej tyre për këtë projekt pilot.

“Në përgjigje të shkresës suaj nr 2646 datë 28.12.2020, mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë ju bëjmë me dije se opinioni i Partisë demokratike është që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë’, thuhet në përgjigjen e PD.

Pak ditë më parë KQZ i dërgoi shkresë partive politike se ku mund të aplikohet sipas tyre projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik. KQZ saktësonte se në këto zgjedhje të gjithë qytetarët do të identifikohen 100% në mënyrë elektronike.

“Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit, që do të përdoren në zgjedhje do të implementohen me projekte pilot, të cilat duhet të përfshijnë jo më shumë se 20% të zgjedhësve, duke filluar nga zgjedhjet e para, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Pavarësisht nga ky rregull, në zgjedhjet e para për Kuvendin pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, identifikimi elektronik do të shtrihet në 100% të votuesve”, thuhej në njoftimin e KQZ më herët.

Pas Partisë Demokratike e cila kërkoi që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të zgjedhjësve të bëhej në qarkun e Korçës dhe të Fierit ka reaguar dhe Partia Socialiste. Kjo e fundit në ndryshim nga PD kërkoi që projekti pilot të aplikohej në Korçës dhe në një pjesë të kryeqytetit.

(R.G/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re