Rruga “Hamide Dalipi”, në Sauk, po rikonstruktohet me të gjitha elementët e sigurisë dhe të sinjalistikës. Ashtu sikundër në çdo njësi e lagje të Tiranës, si në qendër, edhe në periferi, Bashkia e Tiranës po vijon me asfaltimin dhe ndriçimin e rrugëve.

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili inspektoi në orët e mbrëmjes punën për asfaltimin e rrugës në Njësinë 2, tha se në çdo lagje do të ketë investime të tilla, të cilat përmirësojnë cilësinë e jetës në komunitet.

 

“E di që është mesi i natës, por e vlerësoj jashtë mase punën që bëhet, sidomos në një Tiranë që është e mbingarkuar. Disa nga orët më të kollajta për të punuar janë orët e natës, ku mund të asfaltojmë, mund të punojmë me shtresa të ndryshme, duke pasur mirëkuptimin, bekimet dhe uratën e banorëve, të cilët i falenderoj me gjithë zemër. Në zonën e Xhamisë së Saukut, edhe kur ndërtuam xhaminë, pastaj këndin e lojërave, pastaj gjithë pjesën që sheh në drejtim të autostradës, ku sistemuam të gjitha lagjet, me ndriçimin, asfaltimin, me kanalizimet e ujërave të zeza e të bardha, me sistemimin e grumbullimit dhe mbledhjes së mbeturinave, ky është segmenti i fundit, një rrugë jashtëzakonisht e frekuentuar, sidomos në ditë të xhumasë nga miqtë e vëllezërit tanë besimtarë,” u shpreh Veliaj.

 

Çdo ditë nga një punë konkrete është formula e vetme për t’iu përgjigjet Tiranës që rritet çdo vit, tha Veliaj.

 

“Jam vërtet mirënjohës për të gjithë banorët që kanë treguar durim. E kuptojnë se, siç një shtëpi nuk ndërtohet në një ditë, ashtu edhe ne duhet të punojmë çdo ditë nga një rrugicë, për t’u siguruar që sistemohen të 10.000 rrugicat e Tiranës. Sot jemi në Sauk, nesër do kemi disa lagje të tjera. Më erdhi mirë që takova disa nga miqtë e mi të vjetër të fëmijërisë, por unë besoj se formula e suksesit është si do arrijmë të ruajmë intimitetin që ka pasur Tirana e vjetër, kur kemi qenë ne fëmijë, me një Tiranë që sot është me 1 milionë banorë dhe se si mund të ndikojë dora e bashkisë në të gjitha rrugicat, edhe pse qyteti ka shkuar nga 42 km katrorë në mbi 1200 km katrorë. E vetmja zgjidhje, e vetmja përgjigje që unë kam për këtë është: çdo ditë nga një punë konkrete,” shtoi ai.

 

Kreu i bashkisë siguroi banorët se, “është vetëm çështje kohe sa të mbërrijmë në çdo rrugicë”.

 

“Për të gjithë banorët kemi vetëm një garanci: Për sa kohë që jemi duke punuar çdo natë, është vetëm çështje kohe derisa të mbërrijmë tek rrugica e fundit që ka nevojë për dorën e bashkisë dhe për gjithë këtë urbanizim që po vjen, çka shton edhe vlerën e pronës dhe të çdo investimi që bëhet në këtë njësi. Edhe Xhamia ka më vlerë kur ka një rrugë të bukur pranë, por edhe shtëpitë kanë më vlerë në treg, kur kanë infrastrukturë e ndriçim, ndaj edhe besoj që në finale nuk është vetëm çështje asfalti. Është çështje e rritjes së vlerës së gjithë pronës, që është në fakt mundimi i njerëzve dhe i djersës dhe kursimeve të tyre, të një jete të tërë,” e mbylli Veliaj fjalën e tij për banorët e kësaj zone.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re