526 kuti votimi nga të gjitha bashkitë e vendit u numëruan nga e para.

 

Procesi i rinumërimit të një pjese të vullnetit politik për vendoret e majit ishte prova e radhës që tregoi se vota nuk vidhet në kuti.

 

Nga të dhënat e dala rezulton se diferenca mes votës së numëruar dhe asaj të rinumëruar për kandidatët për kryebashkiakë është e papërfillshme, madje në shumicën e rasteve ndryshimi i rezultatit është zero.

 

Edhe në ato raste kur numri i votave është i ndryshëm nga rezultati i certifikuar sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve kemi të bëjmë më së shumti me gabime njerëzore.

 

Rasti më tipik është ai për bashkinë më të madhe në vend, Tiranën. Tre kandidatëve, socialistit Erion Veliaj, të koalicionit “Bashkë fitojmë” Belind Këlliçi dhe demokratit Roland Bejko i janë shtuar një dorë  e vogël votash. Ndikimi në rezultatin përfundimtar është i papërfillshëm.

 

Tjetër të dhënë na jep vota për këshillat bashkiakë. Duket se aty numëruesit vështirë se kanë gabuar padashje.

 

Në të gjitha kutitë e rihapura rezulton se vota për këshillat bashkiakë nuk është numëruar drejt. Partive politike i janë hequr ose i janë shtuar vota në shifra jo të ulëta. E ndëshkuara është opozita pasi nga leximi paraprak rezulton se numëruesit e tyre e kanë tjetërsuar votën përbrenda partive të koalicionit “Bashkë Fitojmë” dhe asaj Demokratike.

 

Të dhënat e dala nga verifikimi pazgjedhor vërtetojnë edhe një herë rëndësinë që komisionerët dhe veçmas numëruesit nuk duhet të jenë ekskluzivitet i partive politike. Për këtë arsye komisioneri i zgjedhjeve  Ilirjan Celibashi kërkon me këmbëngulje që me bërjen e reformës zgjedhore kjo praktikë të ndryshoje dhe administrata zgjedhore të shkojë drejt depolitizimit.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re