Analisti Evarist Beqiri, i ftuar në studion e News24, ka komentuar protestën masive që po zhvillohet në Tiranë, e cila sot shënon ditën e saj të dhjetë të tubimit.

Sipas analistit Beqiri, kjo revoltë përfaqëson një zgjim të nevojshëm të shoqërisë dhe një betejë vendimtare për të ardhmen e vendit, duke hedhur poshtë pretendimet për ndikime të jashtme apo përpjekjet për përçarje.

Gjatë fjalës së tij, Beqiri u shpreh se kjo protestë është një reagim i natyrshëm që buron nga zemërata qytetare dhe jo nga urrejtja, duke nënvizuar se qytetarët tashmë e kanë kuptuar forcën e tyre.

“Protesta është një zgjim qytetar, i gjithëpritur nga ne. Duhej një shkëndijë, një zgjim, një ngacmim për shqiptarët dhe për këtë duhet falënderuar Rama se vetëm ky mund të na e bënte këtë zgjim. Shqiptarët ishin pak në gjumë, duhet të ishim pak më aktivë. Demokracia ka nevojë për qytetarë të përgjegjshëm,” deklaroi analisti.

Beqiri shtoi se askush nuk mund t’i ndalë më qytetarët në rrugën e tyre për të zgjidhur problemet dhe për të kërkuar të drejtat e tyre. Ai theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment shumë delikat dhe i bëri thirrje kryeministrit dhe të gjithë klasës politike që ta gjykojnë situatën me përgjegjshmëri, duke u dalë përpara kërkesave të popullit për t’u marrë me problemet reale, pasi ka ardhur koha që t’i jepet fund fshehjes pas korrupsionit, abuzimeve dhe degradimit të shtetit.

Analisti adresoi gjithashtu edhe zërat që synojnë të dëmtojnë legjitimitetin e tubimit, duke deklaruar se ata që duan të përçajnë protestën janë të dështuar, pasi nuk ka forcë që i ndal shqiptarët kur bëhen bashkë.

Ai akuzoi ata që kanë mbajtur pushtetin për 35 vite se kanë tradhtuar idealin e Gjergj Kastriotit për një shtet që i shërben qytetarëve të tij, duke shtuar se në vend ka ardhur koha për një kthesë të madhe. Beqiri hodhi poshtë edhe aludimet për agjenda të fshehta pas organizimit.

“Nuk na shtyn njeri të protestojmë. Nuk ka shërbime të huaja aty. Ato kanë qenë dhe do jenë në Shqipëri, kanë interesat e tyre, por protesta është e shqiptarëve,” përfundoi Beqiri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re