Këtë të hënë në Lezhë, janë gjetur dhe janë asgjësuar me anë të djegies 1844 bimë narkotike dhe po punohet për identifikimin e autorëve.

Sipas policisë mësohet se në fazën e 26-të të megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, është bërë I mundur asgjësimi përmes djegies i 1844 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme të qarkut.

Nga informacionet e policisë mësohet se bimët janë gjetur;

-Në rrethin Lezhë, janë gjetur në total 1061 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të kultivuara në 2 njësi administrative, konkretisht 593 bimë u gjetën në fshatin Troshan të njësisë administrative Blinisht, ndërsa 468 bimë u gjetën në fshatrat Fregen dhe Rras i Butë të njësisë administrative Ungrej;

-Në rrethin Kurbin u gjetën të kultivuara në total 412 bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa, konkretisht 380 bimë u gjetën në fshatin Alk të njësisë administrative Fushë Kuqe, ndërsa 32 bimë u gjetën në fshatin Shkopet të njësisë administrative Milot.

Gjithashtu, në rrethin Mirditë, në njësinë administrative Kaçinar, në fshatin Shëngjergj, u gjetën të kultivuara 371 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Bimët narkotike, pas kryerjes së veprimeve procedurale, u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Policia e Lezhës, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të kësaj veprimtarie kriminale.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re