Mijëra ashensorë janë të paregjistruar sipas ligjit në Shqipëri dhe kjo shmangie bëhet shkak që herë pas here të përballemi me ngjarje të rënda.

 

Rasti më i fundit është ai në Qendrën Spitalore Universitare, ku ashensori me pacientë brenda u shkëput.

 

Sipas Inspektoratit Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, ky ashensor është ekzaminuar për sigurinë e tij nga trupa teknike, por nuk është regjistruar pranë ISHMT.

 

Regjistrimi i tij do të thotë që grupet e ISHMT mund të gjurmojnë inspektimet dhe kontrollet që duhet të jenë periodike për sigurinë e çdo ashensori.

 

Por një ashensor nuk mund të certifikohet nëse ai nuk i përmbush kriteret e sigurisë.

 

I njëjti problem shtrihet edhe në ashensorët e pallateve, regjistrimi i të cilëve është detyrë e administratorëve ose banorëve në rastin kur administratori mungon.

 

Joni Goxhaj është administrator i një pallati në Tiranë, por pengohet nga banorët të lidhë një kontratë të rregullt me një firmë private për kontrollin e ashensorit dhe për regjistrimin e tij.

 

JONI GOXHAJ

ADMINISTRATOR PALLATI

 

“Firma ndërtuese iku dhe e la pallatin pa ashensor. Në këto kushte, banorët janë mbledhur për të blerë vetë ashensorin. Ashensori shfrytëzohet nga banorët që banojnë nga kati i pestë deri në katin e 11. Brenda një muaji kanë ndodhur disa raste që banorët kanë ngecur brenda ashensorit. Kompania me të cilën është lidhur një person i pallatit nuk është e rregullt. Nuk ka kontratë, nuk është bërë regjistrimi pranë ISHMT. Ashensori duhet të ishte kolauduar nga firma ndërtuese. Por në rastin kur kjo detyrë i takon administratorit, të bëhen pengesë banorët sepse nuk të lejojnë të lidhësh kontratë të rregullt me një firmë tjetër private.”

 

Por ka edhe nga ato raste kur procesi është i rregullt dhe kontrolli për ashensorin është çdo muaj.

 

 

ADEM CEMURATI

ADMINISTRATOR PALLATI

 

“Firma vjen një herë në muaj për të verifikuar kushtet e sigurisë. Nëse do të ketë një kontroll periodik, nuk shkohet deri në pikën që ashensori shkëputet. Ashensori nuk mund të shkëputet menjëherë. I gjithë problemi është që duhet një kujdes i herëpashershëm nga firma mirëmbajtëse. Por këto vijnë si pasojë e neglizhencës së mirëmbajtësve të ashensorëve.”

 

Sipas Inspektoratit të Mbikëqyrjes së Tregut, në rang kombëtar ka vetëm 1.429 ashensorë të regjistruar, ndërsa gjatë vitit 2021 janë kryer 336 inspektime në terren për zbatimin e ligjit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re