Ai njihet ndryshe si kantautori korçar i serenatave të dashurisë. Bëhet fjalë për Mihallaq Andrean, i cili është autor i qindra këngëve, serenatave, që i ka përcjellë me zërin e tij të ngrohtë.

Me një krijimtari të pasur, ai ka ditur si të trokasë në zemrat e të gjithëve. Andrea ishte sot i ftuar në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ku përveç anës profesionale rrëfeu edhe një nga momentet më të vështira që ka kaluar në jetë.

“Në 1974 mua m’u ndalua çdo aktivitet artistik. Ishte një goditje shumë e madhe për mua, pata goxha shqetësime. Në 1978 më filluan dhimbjet e këmbëve, bëra një vizitë këtu në spitalin e Tiranës dhe e para gjë që më ka thënë doktoresha ka qenë: “E ke nga stresi”.

Kjo sëmundje mund të ishte kuruar jashtë vendit, më përgatitën, por u ndërpre më pas. Unë kam hyrë në operacion i pavetëdijshëm dhe kur kam dalë kam mësuar që nuk i kisha këmbët. Atje më ka ardhur doktoresha dhe më ka thënë: Ti duhet të jetosh. Pastaj jeta mori vrullin e saj, unë fola me veten dhe i thashë: Duhet të jetosh. Dhe kam jetuar dhe jam i kënaqur që kam jetuar”, tha Andrea.

Kantautori Mihallaq Andrea dhe aktorja Ema Andrea janë personazhë publikë të cilët kanë spikatur në fushat e tyre. Por askush prej tyre nuk kishte folur më parë për lidhjen e gjakut që dy personazhet kanë me njëri-tjetrin.

Në studion e “Rudina”, në Tv Klan, ku kantautori korçar i serenatave ishte i ftuar, zbuloi se aktorja Ema Andrea është mbesa e tij.

“Ema është vajza e vëllait tim. Emën e dua shumë, për mua ajo ka të veçantë karakterin e fortë dhe është aktore e shkëlqyer. Është e vështirë të jesh aktore si Ema. Karakteri i saj është i ngjashëm me timin, të dy ne jemi “qaramanë”, tha kantautori.

Ndërkohë aktorja në videomesazhin e saj tha se për të, Mihallaq Andrea nuk është vetëm xhaxhai i saj, por shoku me të cilin kuptohet edhe pa folur.

“Ti për mua je personi që të do pa kërkuar asgjë mbrapsht dhe me mënyrën tënde na ke mbajtur të lidhur të gjithëve bashkë. Jam e bindur që nga gjithë fisi i madh që kemi, ti je ai me të cilin merrem vesh pa folur.

Ti je ai xhaxhai dhe shoku që ke marrë makinën dhe ke ardhur ke parë shfaqjen time dhe më pas ke ikur, ky është vlerësim përtej të qenit mbesë. Të falënderoj për lotët që më ke sjellë me muzikën tënde, sepse në ato momente nuk isha vetëm.

Ti je një figurë mashkullore që s’je ankuar kurrë, edhe pse ke patur shumë motive. Në këtë sens ti je shembull njerëzor. Më vjen mirë që sot kam mundësi të të them të dua në publik. Mos qaj”, tha aktorja në videomesazh.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re