Kancelarja gjermane Angela Merkel, ka përfunduar takimin me liderët e Ballkanit Perëndimor të organizuar ditën e sotme në Tiranë. Menjëherë pas përfundimit të takimit, kancelarja Angela Merkel dhe kryeministri Edi Rama kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për të folur mbi temat që u diskutuan në këto takime.

Fjalën e parë të konferencës e ka mbajtur kryeministri Edi Rama i cili falenderoi kancelaren Angela Merkel dhe i shprehu mirënjohjen e tij për atë çfarë ka bërë lidhur me rajonin e Ballkanit duke përmendur këtu edhe “Procesin e Berlinit”.

Por më tej, Rama tha se i vetmi problem që kishte me kancelaren Angela Merkel ishte fakti që ajo nuk pëlqente të fliste shumë dhe të zgjastej sepse koha për të është e çmuar.

“Kjo është një ditë e bukur dhe e trishtuar. Është një ditë e bukur sepse kemi privilegjin të presim në Tiranë, një mike të Ballkanit të shqiptarëve dhe të gjithë popujve të këtij rajoni dhe njëkohësisht një ditë e trishtuar sespse në njëfarë mënyre kjo është vizita e lamtumirës së Angela Merkel si kancelare e Gjermanisë. Unë besoj se askush nuk ka bërë për këtë rajon pas kapërcimit të luftës më shumë sesa kancelarja gjermane.

Ajo që është akoma më e rëndësishme është se askush nuk e ka kuptuar këtë rajon më mirë sesa Angela Merkel. Me kancelaren është gjithmonë një problem se nuk i ka qejf fjalimet me fjalë të bukura por njëkohësisht është shumë e sinqertë me ato cfarë bëri duke inicuar procesin e Berlinit. Një proces largpamës, jo vetëm një fazë po për ta parë të ardhmen të gjithë së bashku.

Arritja më e madhe e këtij procesi është vendosja e një fryme bashkëpunimi, bashkëveprimi dhe të sensit të të ardhmes. Ishte privilegj që kancelarja të ishte në Tiranë në pamundësi për të vizituar të gjithë vëndet duke bërë këtu takimet bilaterale. Dua ti shpreh mirënjohjen falenderimin më të sinqertë për ato cfarë Gjermani ka bërë për Shqipërinë. Nuk po hyj ti numëroj se janë shumë.

Nga ana tjetër duke respektuar maksimalisht faktin që kancelarja është një “lidere” që drejton Gjermaninë prej shumë vitesh por kurrë nuk ka munguar ti japi zemër ti japi zemër , por është gjermane, kohën e ka të shtrenjtë, nuk dua të marr më shumë kohë por dua të them që Ballkani Perëndimor është një rajon më i mirë. Interesi juaj këtu është të dëgjoni më shumë fjalët e saj se të miat prandaj po i kaloj fjalën duke i shprehur edhe njëherë të gjithë mirënjohjen duke i thënë që ishte një nder një kënaqësi që të kisha mundësi të njihesha me të.”

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re