“Asnjë grua tjetër” ishte parulla e formuar gërmë-gërmë nga vajzat dhe gratë pasditen e sotme përpara Kryeministrisë.

Ky manifest erdhi si reagim ndaj vrasjes së 28 vjeçares Irvana Hyka nga bashkëshorti i saj 29-vjeçar, Demokrat Medinaj duke e goditur 31 herë me thikë në prani të dy fëmijëve të mitur.



Një grup vajzash dhe grash në Tiranë dënuan aktin, ndërsa e cilësuan si një rutinë të normalizuar shoqërore brenda një sistemi shtypës patriarkal.

“Jeta e gruas nuk është tagër i burrit! Trupi i gruas nuk është tagër i burrit! Gruaja nuk i përket askujt veç vetes! E mbrojtja e jetëve tona, mbrojtja e secilës prej nesh, është detyrë institucionale dhe përgjegjësi shoqërore!”, -u deklarua me megafon para Kryeministrisë.

Në deklaratën e lexuar njëzëri u prek ndër të tjera roli i shtetit në detyrën për të krijuar struktura sociale mbrojtëse.

“Ky shtet, ku jeta ka kaq pak vlerë, ka refuzuar të çojë përpara politika sociale, që do t’i edukonin gratë dhe burrat për të qenë aleatë me njëri-tjetrin, jo armiq. Arsimi është gjunjëzuar në 30 vite zhvatje, diskriminim ekonomik dhe mungesë mendimi kritik. Një dramë nga e cila është prekur veçanërisht gruaja. Ajo ose është rikthyer në vatrën familjare, ku i shërben kryepatriarkut dhe çdo burri tjetër që e shoqëron atë brenda këtij gjiri, ose (njëkohësisht) është degdisur të punojë për një pagë nën minimalen, që rishtas i shërben mentalitetit patriarkal, ku ajo frymon dhe jo çlirimit apo emancipimit të vetë asaj”,-u vijua më tej në deklaratë.

Heshtja dhe mos reagimi nga shoqëria ishte një tjetër shqetësim i artikuluar përmes megafonit.

“Mendoj që një pjesë e madhe e problemit është çdokush që hesht, çdokush që bën sikur nuk e di çfarë po ndodh, në shkollë, në shpi, çdokush që nuk e ngre zërin, nuk është vetëm shteti, është një shoqëri e tërë. Kushdo që po kalon këtu dhe nuk ndalon të shikoj ca po bëhet, kush hesht përballë dhunës është pjesë e dhunës. Edhe arsimi është një pjesë shumë e rëndësishme, unë flas këtu si mësuese”,-u shpreh një nga vajzat e pranishme.

Në përfundim të manifestit vajzat dhe gratë sollën në vëmendje numrat dhe kontaktet ku mund të drejtohej çdo vajzë që ndjehej në rrezik apo ishte e dhunuar.

Referuar të dhënave të Policisë së Shtetit përgjatë vitit 2020 janë evidentuar 4701 raste të dhunës në familje, ndërsa janë shënuar shtatë viktima, gjashtë prej të cilëve janë gra.

Përgjatë 2020 janë lëshuar 2816 urdhra të menjëhershëm të mbrotjes, prej të cilëve 138 janë shkelur. /Citizens-channel.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re