Personat që do të jenë të izoluar si pasojë e Covid-19 në 25 Prill nuk do të mund të ushtrojnë të drejtën e votës. Ata nuk mund të dalin nga mjediset e shtëpisë për të shkuar në qendrat e votimit pasi riskojnë të përhapin virusin.

Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, në një intervistë per televizonin Klan thotë se edhe pse të gjithë kanë të drejtën e votës në këtë moment do të prevalojë ligji për sëmundjet infektive.

“Në bazë të ligjit për zgjedhjet ne nuk e kemi mundësinë që kutia e votimit të shkojë tek banorët, por është e kundërta. Ligji nuk na e lejon rastin e parë që të shkojë kutia tek banori, por është banori ai që duhet të shkojë në qendrën e votimit. Për pacientët që mbartin covid-19, që janë karantinuar, apo që janë në spital, nëse shkelet ligji, shkelet ligji për sëmundjet infektive. Janë dy elemente ligjore që duhet të ruhen për të mos i prekur dhe mos i shkelur ato”.

Por gjithçka do të mbetet në ndërgjegjen e qytetarëve pasi nuk do të ketë rregulla shtesë për të ndalur të infektuarit me Covid të hyjnë në qendrat e votimit. Aktualisht në vend janë rreth 27 mijë të infektuar aktiv prej të cilëve 19 mijë janë në kryeqytet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re