Prej më shumë se dy javësh, që nga dita kur Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për kompaninë “DH Albania”, që me dokumente të falsifikuara fitoi dy tenderë me vlerë 30 milionë euro, veprimet hetimore duket se kanë mbetur në vend.

 

Që prej datës 7 Dhjetor, organi i akuzës ka kërkuar që të bëhet pyetja e Avdiol Dobit, person i cili rezulton të ketë lidhur kontratën me autoritetin rrugor si dhe me Operatorin e Sistemit te Transmetimit.

 

Ndonëse 26 vjeçari rezulton nga sistemi TIMS të jetë brenda territorit shqiptar, ai nuk ka kthyer asnjë përgjigje pranë organit të akuzës nëse ka marrë ose jo dijeni për fletëthirrjen.

 

Nëse Dobi nuk do të paraqitet në prokurori vullnetarisht brenda afatit që parashikon ligji, atëherë do të kërkohet paraqitja e detyrueshme, e më pas edhe shpallja e tij në kërkim.

 

Por, ndonëse lista me emrat që do të pyeten në prokurori lidhur me megaskandalin është e gjatë, prokuroria nuk ka marrë ende dëshminë e asnjë personi. Duket se mosveprimi i organit të akuzës për të marrë në pyetje personat e tjerë, si noterë, përkthyes, apo zyrtarë të institucioneve, i jep kohë personave përgjegjës për të fshirë ose manipuluar provat e po ashtu për të kërcënuar dëshmitaret.

 

Dëshmia e 26 vjeçarit konsiderohet tepër me rëndësi për grupin hetimor, pasi Avdjol Dobi do të japë sqarime në lidhje me dokumentet që kompania dorëzoi pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit. I riu do të pyetet nëse ka dijeni që dokumentet e paraqitura janë të falsifikuara, apo se kush janë personat që ia kanë dhënë atij këto dokumente.

 

Ndërkohë, nga verifikimet e  bëra në SHBA, rezulton se kompania DH Albania ka ndryshuar me qëllim datën e themelimit të saj, në mënyre që të fitonte tenderin 18 milionë euro të lotit të parë të Unazës së Re.

 

Më herët, Zëri i Amerikës nënvizoi se pas kompanisë DH Albania, qëndron biznesmeni i njohur Bashkim Ulaj, pasi ne shkresa rezulton se kanë emrin njerëz që punojnë për të.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re