Mali i Zi pasditen e kësaj të marte ka shpallur fundin e epidemisë së Covid-19.

Trupi Koordinues Kombëtar për sëmundjet infektive, me propozim të Institutit për Shëndetin Publik të Malit të Zi, ka bërë mbylljen përfundimtare të epidemisë në këtë shtet.

“Ky është rezultat i përpjekjeve për muaj të tërë nga të gjithë në sistemin tonë dhe nga qytetarët tanë. Faleminderit për besimin. Disa masa do të anulohen, por pasi pandemia vazhdon ende, mbesin në fuqi masat kundër importimit të virusit”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Malit të Zi.

Mediat në Mal të Zi kanë shkruar se ky vend ka kaluar dy periudha të inkubacionit prej 28 ditëve pa raste të reja me koronavirus dhe kështu janë plotësuar kushtet për të shpallur fundin e epidemisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë  133 testime të reja, ku nuk është konfirmuar asnjë rast pozitiv.

Ndërkaq prej ditësh në Malin e Zi nuk ka asnjë pacient aktiv të sëmurë me Covid 19. Në këtë shtet kanë humbur jetën nga koronavirusi vetëm 9 persona dhe 24 të tjerë janë konfirmuar të infektuar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re