Dy persona të dyshuar si të prekur nga COVID-19 në qytetin e Korçës, kanë rezultuar negativë pas kryerjes së analizave përkatëse në Institutin e Shëndetit Publik në kryeqytet.
Ky është një tjetër lajm i mirë për Korçën, e cila prej dy ditësh tashmë nuk është në listën e qyteteve me rritje të numrit të të infektuarve nga COVID-19. Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare të Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Korçë, të cilat thanë se megjithëse dy personat e dyshuar kishin simptoma të ngjashme me ato të koronavirusit, ata kanë rezultuar negativë pas testit të kryer.
Nga ana tjetër burimet zyrtare bëjnë të ditur se edhe nga Pogradeci e Devolli gjatë 24 orëve të fundit nuk ka rezultuar asnjë rast i dyshuar dhe nuk është dërguar asnjë tampon për analiza.
Qyteti i Korçës ka shënuar 16 raste të infektuarish nga virusi i rrezikshëm, por fatmirësisht 3 prej tyre janë shëruar, duke përfshirë një djalë të ri dhe dy të moshuar, ndërsa pjesa tjetër e të prekurve është në gjendje të stabilizuar shëndetësore.