Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, është shprehur se vendimi i Gjykatës së Apelit për t’i dhënë vulën dhe logon Sali Berishës ishte i pritshëm, pasi Gjykata e Lartë kishte caktuar të gjitha konturet.

I ftuar në emisionit “Open” në News24, Bardhi tha se ky vendim i jep fund një konflikti të stisur brenda PD-së, ndërsa shtoi se nuk ka prova që ky proces të ketë qenë i ndikuar politikisht.

 “Qytetarët presin 4 apo 5 vite në dyert e drejtësisë për një vendim të formës së prerë. Në rastin e PD-së kemi një shqyrtim me përparësi të çështjes. Një vit para zgjedhjeve kemi një zgjidhje përfundimtare. Nuk ka prova që ky proces të ketë qenë i ndikuar politikisht”, tha Bardhi.

Ndër të tjera, Bardhi tha se respekton vendimet e Gjykatave duke shtuar se ka qenë një papërgjegjshmëri brenda PD-së që nuk u gjet një zgjidhje politike brenda vetes.

“Duhej të prevalonte përgjegjshmëria e secilit prej nesh”, tha Bardhi.

Analisti Arion Sulo e pyeti Bardhin se çfarë ka ndodhur me të pasi 2 apo 3 vite më parë mbronte qëndrimin se vula i takonte Lulzim Bashës, ndërsa më pas ndryshoi mendim.

“Unë pranova vendimin e dhënë nga gjyqtari Agron Zhukri, kam dorëzuar çelësat në atë kohë të zyrës, pra unë e zbatoj vendimin e Gjykatës”, u përgjigj Bardhi. “Qëndrimin politik unë e kam shprehur qartazi, jam te Partia Demokratike e Shqipërisë, nuk jam aty për individë politikë”, tha ai më tej.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re