Për bizneset që nuk respektojnë oraret e hedhjes së mbetjeve dhe shkarkimin e tyre në vendin e duhur, do të ketë zero tolerancë. Paralajmërimi vjen nga ministrja e turizmit dhe mjedisit, Mirela Kumbaro, gjatë një vizite që ajo pati përgjatë vijës bregdetare në Sarandë.

 

MIRELA KUMBARO

 

MINISTRE E TURIZMIT DHE MJEDISIT

 

“Unë i kam kërkuar Policisë së Shtetit që të mos falë në rast shkeljesh, sepse është krim mjedisor. Të gjitha këto shërbime që ne bëjmë, qoftë Agjencia Kombëtare e Bregdetit, qoftë Bashkia, bëhen me paratë e taksapaguesve. Nuk ka kuptim dhe nuk është aspak e falshme që bizneset të abuzojnë me oraret, të abuzojnë me mosshkakrimin e plehrave në vendin e duhur.”

 

Ministrja Kumbaro iu drejtua edhe operatorëve turistikë detarë, të cilët do të duhet të plotësojnë kriteret e sigurisë dhe garancitë e kërkuara nga ligji, përndryshe nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin.

 

“Afatet e aplikimeve për operatorët turistikë janë 12 muaj të hapura dhe mendoj se vitin tjetër do ecim më përpara me një shërbim të ri për ta bërë aplikimin online”.

 

Kapacitetet e pastrimit në vijën bregdetare thuajse janë dyfishuar, duke bërë të mundur që pastrimi dhe zbrazja e koshave të kryhet deri në pesë herë në ditë.

 

Ndërkohë edhe në bashkitë Vlorë dhe Rrogozhinë do të ketë forca shtesë pastrimi për vijën bregdetare, ndërsa në Durrës, Kavajë, Sarandë e Himarë ky proces ka nisur që një vit më parë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re