Drejtori i Emergjencave në Ministrinë e Mbrojtjes, Haki Çako ka deklaruar për mediat se zgjidhja e situatës në Kakavijë nuk është në dorën e qeverisë shqiptare.

Ai ka theksuar se janë në kontakt me palën greke, por nuk mund t’i detyrojnë ata për procedurat që duhen ndjekur.

Çako iu bëri thirrje qytetarëve që të kthehen në banesa dhe të aplikojnë në portalin online grek, për kalim të kufirit.

“Gjej rastin të ngushëlloj familjen e djalit të aksidentuar. Qytetarët e tjerë të gjejnë zgjidhjen e duhur, në raport me portalin apo aksesin që kanë hapur autoritetet greke.

Është një situatë që nuk është në dorën e shtetit shqiptar, megjithëse shteti shqiptar po e konsideron emergjencë.

Nuk jemi në rastin e një fatkeqësie natyrore, por ne jemi në krye të detyrës, për nevojat e tyre. Nuk mund të krijojmë kampe.

Çadra nuk janë ato që ndikojnë në vendimmarrjen e autoriteteve greke. Kjo është një situatë pandemie. Ambulanca dhe të gjitha strukturat e tjera vazhdojnë të jenë prezent pranë qytetarëve.

Ka qenë edhe lëvizja e pakontrolluar e fëmijës, për aksidentin. Ne jemi në kontakt me palën greke, por nuk u diktojmë dot detyrat.

Qytetarët duhet të ndjekin procedurën greke. Nga nesër do të kemi një numër të limituar. Kjo situatë nuk është për faj të shtetit shqiptar.

Qytetarët duhet të kthehen, do të ishte në interes të tyre, për të mos rënduar shëndetin dhe për të mos krijuar pasiguri, se jemi në kushte pandemie. Qytetarët të kthehen në banesat e tyre dhe të aplikojnë drejtpërdrejt për platformën greke,” u shpreh Çako.

Kjo deklaratë e Çakos vjen pas katër ditësh kaosi në pikat kufitare si Kakavija dhe Kapshtica.

Në Kakavijë radhët e makinave kanë shkuar në 25 kilometra. Qytetarët, me gra e fëmijë, janë torturuar në diell e temperaturë të larta.

Disa persona kanë shfaqur edhe probleme shëndetësore dhe janë dërguar me urgjencë në spital. Ndërkohë është aksidentuar për vdekje një 10-vjeçar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re