Njoftimi që bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se i ka përcjellë Presidentit të Francës, Macron dhe Kancelarit gjerman, Scholz një draft statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë nxiti reagime të ndryshme në Prishtinë. Rama tha se “dokumenti është konfidencial”, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

 

“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asociacionit, për të cilin e kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha kryeministri Rama. Kjo deklaratë e kryeministrit të Shqipërisë, disa politikanë në Kosovë i zuri në befasi që s’kishin njohuri për draftin, e disa jo. Dy krerët e shtetit të Kosovës, Presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti, nuk u deklaruan  për draftin e Ramës.

 

“Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtarë”

 

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, parti në pushtet, Mimoza Kusari-Lila reagoi pas deklaratës së kryeministrit, Rama. “Kosova nuk ka nevojë për shpëtimtar në formën e ofrimit të një draft-statuti”. “Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe natyrisht me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë. Nisma e Ramës, ndoshta është me qëllim të mirë, por mund të shkojë keq”, tha Kusari Lila, duke shtuar se ajo personalisht nuk e ka parë dokumentin.

Qeveria e Kosovës – institucioni i vetëm përgjegjës për të bërë propozim

 

Kurse drejtuesi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës në opozitë, Arben Gashi, tha se Qeveria e Kosovës është institucioni i vetëm përgjegjës për të bërë propozim për statutin e Asociacionit dhe askush tjetër. “Është vetëm Qeveria e Kosovës, askush tjetër, asnjë qeveri e ndonjë vendi tjetër nuk mund të bëjë propozime të tilla”, u shpreh Arben Gashi. Ndërsa kreui i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se  nisma e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, nuk duhet të paragjykohet, megjithëse as Zoti Tahiri nuk e ka parë draft-statutin. “E para, në parim diçka që vjen prej kryeministrit shqiptar, ai ka pasur një deklarim për gjendjen në veri, diçka që vjen prej shtetit amë jodomosdo duhet të gjykohet keq. Në anën tjetër, detyrat e Qeverisë janë detyra të vendit të cilat pa asnjë dyshim duhet t’i ushtrojë Qeveria e Kosovës, e Qeveria jonë nuk po i ushtron. Ajo që del në pah prej kësaj situate është se ekziston një moskomunikim dhe raportet e komunikimit mes Shqipërisë dhe Kosovës janë në pikën e fundit”, tha Besnik Tahiri.

Hoxhaj mbështetje për iniciativën e Ramës

I vetmi që ka pohuar, se e ka parë propozimin e Ramës për Asociacionin ishte nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, PDK Enver Hoxhaj. Ai tha se megjithatë dokumentin nuk e ka siguruar nga kryeministri shqiptar. “Mendoj që iniciativa e Ramës duhet të ketë mbështetje në Kosovë. Mendoj që është hap i duhur, i drejtë dhe i domosdoshëm që Shqipëria ka dalë me një propozim të tillë”, tha Hoxhaj duke shtuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, veçse e ka pranuar Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, me Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia kanë arritur më herët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re