Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar, duke dënuar ashpër kërcënimet e bëra ndaj gazetarit Almer Toska, pas publikimit të një shkrimi në portalin Timoni.al, ku në fokus ishte biznesmeni Julian Morina.

Sipas AGSH, ky është një akt tipik frikësimi ndaj medias së lirë, që nuk mund dhe nuk duhet të tolerohet në asnjë rast.

AGSH shpreh mbështetjen e plotë për gazetarin Almer Toska dhe për çdo përfaqësues të medias që përballet me presion apo kërcënime për shkak të detyrës së tij.

Deklarata e plotë e Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH):

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënon kërcënimet e bëra ndaj gazetarit Almer Toska, pas publikimit të një shkrimi në portalin Timoni.al, ku në qendër ishte biznesmeni Julian Morina.

Ky është një akt tipik frikësimi që nuk duhet toleruar.

AGSH përshëndet reagimin e menjëhershëm të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, duke i nxitur këto institucione të hetojnë me profesionalizëm dhe shpejtësi rastin.

AGSH qëndron krah gazetarit Almer Toska dhe çdo gazetari tjetër që kërcënohet për shkak të detyrës së tij. Kërcënimet nuk mund të heshtin zërin e gazetarëve!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re