I paragjykuar për faktin se Bindja Demokratike u fut në zgjedhjet e 30 qershorit, sot Astrit Patozi shprehet i bindur se koha i ka dhënë të drejtë madje thotë se është i gatshëm të shkojë deri në Hagë për të vërtetuar se këto zgjedhje u vodhën.

I ftuar në Top Talk përballë gazetarit Denis Dyrnjaja, Patozi i bëri një ftesë publike kreut te opozitës Lulzim Basha.

“Kur kam ardhur këtu në emisionin tuaj para rreth një muaji kam thënë se mbas 30 qershorit Shqipëria do të flasë kryesisht për ne dhe ja ku e mbajtëm premtimin.

Në rast se nuk do të ekzistonte Bindja Demokratike sigurisht që të gjitha palët do të ishin të relaksuara. Edi Rama do ti kishte vënë kapakun e arkivolit zgjedhjeve të cunguara të 30 qershorit ndërkohë që Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi do ishin duke u marrë me 13 tetorin, me një gënjeshtër e cila bëhet për të mbajtur veten me gajret deri sa të vijë vjeshta.

Pra, ne ishim në këto zgjedhje dhe vazhdojmë të jemi si dëshmitarë të asaj që ky sistem është i kalbur”, thekson Patozi.

Por cili është qëllimi i Bindjes Demokratike me ankimimin e bërë në Gjykatë për 30 Qershorin? 

“Ne duam t’i dëshmojmë Shqiptarëve dhe zgjedhësve tanë, atyre që na votuan që në këto zgjedhje u fut dora në kuti dhe për ne nuk është risi.

Mund ta evitonte mazhoranca por e ka të pamundur. Ky ështe nje fakt dhe unë jam i gatshëm t’i shkoj deri në gjyqin e Hagës kësaj çështjeje nqs do të ishte e mundur, që të hapet vetëm një kuti të cilën ta zgjedhim ne, një kampion, një zonë zgjedhore, mos të merremi me të gjithë Shqipërinë sepse e gjithë Shqipëria është e madhe , zgjat procesi etj etj”, shprehet Patozi.

Kreu i Bindjes Demokratike thotë se do ta cojë deri në hallkën e fundit te Gjyqësorit ankimimin me shpresën që një kuti po të hapet do të provojë që këto zgjedhje u vodhën sërish si ato pararendëset dhe si ato para tyre. Ai ka edhe një ftesë publike për kreun e opozitës Lulzim Basha.

“Bindja Demokratike është në Kolegj Zgjedhor dhe mund ti provojë Shqiptarëve, nëse do kenë mirësinë ata Gjyqtarë që të zbatojnë ligjin, që të provohet që Edi Rama vodhi edhe zgjedhje që nuk pati nevojë. Bashës nuk i lejohet të ankimojë sepse vetë zgjodhi të ishte spektaror dhe jo lojtar.

Ky është rasti për ti provuar Shqiptarëve dhe opozitës që kurrë nuk mund të zgjedhësh pozicionin e spektatorit dhe ti japësh vetes të drejtat e lojtarit. Sepse përveç 61 Bashkive që i ka dorëzuar në tavolinë deri tani që po flasim, Basha i ka hequr vetes mundësinë për ta provuar që Rama i vodhi këto zgjedhje.

Ne e ftojmë që te vijë ne tryezë kur të shkojmë në kolegj zgjedhor, le të sjellë ekspertët e vetë dhe ne i mirëpresim, por të jenë si spektatorë aty sepse nuk mund të jenë si aktorë” deklaron Patozi.

A mund të ketë një pakt të ri Rama- Basha?

E ndërsa të gjithë presin që kryeministri Rama dhe kryedemokrati Basha të ulen dhe të negociojnë zgjidhjen e krizës politike, Astrit Patozi është i mendimit se një pakt i tillë është “fundi i botës”.

Kreu i Bindjes Demokratike deklaroi se një pakt i tillë i arritur para dy vitesh e thelloi edhe më shumë krizën politike.

“Unë them që nuk mund të ketë një pakt te ri sepse ai do të ishte fundi i botës, në rast se do bëhej. Do ishte një lloj dejavu-je e cila mund ti përkeqësojë gjërat.

Patëm një pakt para dy vjetësh dhe kur Edi Rama pyetet thotë se e bëri që ti jepte një zgjidhje vendit dhe të mos e linte vendin në krize, por çfarë ndodhi, kriza nuk u zgjidh por u thellua. Ndaj them unë që janë të dy përgjegjës, udhëheqësit kryesore.

Nëqoftëse do të ishim në një vend normal, të dy mund të kishin dhënë dorëheqjen, njëri se si ndodhi aksidenti pasi nuk arriti dot ta bindte tjetrin që te hynte dhe të kishte zgjedhje normale, kurse tjetri sepse e la partinë e tij të papërfaqësuar. Në rast se të dy palët do të thërrasin fitore, ky vend nuk do të ketë qetësi.

Por unë këtë prishje qetësie e shoh në rolin opozitar pasi jam pjesë e opozitës, mua më dhimbset opozita dhe nuk më dhimbset aq shumë pushteti, sepse e di që pushteti në të gjitha rastet është më i relaksuar në rast se kriza zgjatet. Pra ne e kemi nevojë të ngutshme që ta çojmë Edi Ramën sa më shpejt në zgjedhje të parakohshme”, tha Patozi.

I pyetur nëse do të kemi një vjeshtë politike të nxehtë apo të qetë, Patozi thotë se e gjitha kjo varet nga reflektimi i opozitës. Sipas tij, nëse reflektimi do të mungojë në kampin e djathtë, bateritë e PD do të vijnë në rënie pasi në shtator militantët e PD nuk do të jenë të lumtur për faktin se nuk e kanë më vendin e punës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re