Astrit Patozi, ish-koordinator i Bindjes Demokratike, deklaroi në studion e “Debat” nga Alba Alishani se ata që janë larguar përgjatë viteve nga Partia Demokratike, nuk i duhen më kësaj partie.

“Unë mendoj që ne që kemi qenë pjesë e Partisë Demokratike, as na duhet dhe as i duhemi kësaj partie, në këtë derexhe ku e ka katandisur veten. Partia Demokratike nuk ka nevojë për njerëz që mendojnë me kokën e vet. PD-ja sot është e ndarë në dy kampe: një pjesë janë kryqëtarët e Berishës dhe të rrethuarit në kështjellë të Lulzim Bashës. Unë nuk mund të shkoj diku ku nuk të dëgjojnë dhe nuk kanë kohë për zëra të ndryshëm.

PD-ja duhet të mbyllë një herë betejën e brendshme, të dalë “pronari” i saj dhe pastaj ai të mendojë se çfarë do të bëjë në të ardhmen. Kjo betejë është përligjja ekselente e kryetarokracisë. Në PD po zihen se kush është pronari i vetëm i PD-së”, deklaroi Patozi.

“Demokratët kanë nevojë që të kenë garë në partinë e tyre. Nuk zgjidhet duke marrë këdo që ka ikur nga PD-ja dhe të bëhet një bashkim mekanik. Ndoshta, askush prej nesh nuk është më i nevojshëm. Nëse PD hap garën brenda vetes dhe ka garë reale, sigurisht që vëmendja do të jetë më e madhe, por edhe dëshira për të kontribuar do të jetë më e madhe. Kjo nuk ka të bëjë me personat”, shtoi Patozi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re