Akademiku Artan Fuga ka komentuar qasjen e aktorëve politikë në Shqipëri në raport me të huajt.

Ai u shpreh në studion e emisionit “Log.” se për 30 vite, shqiptarët të gjitha normat e tregtisë së lirë për të zbatuar rregullat e vendosura në BE. Sipas tij ky është modeli që duhet ndjekur nga shqiptarët, por më i moderuar.

“Unë mendoj se të huajt janë në radhë të parë NATO dhe BE, janë dy pole që shqiptarët i kanë sytë që të orientohen. Problemi është si orientohemi. Ne me BE na ndodhi një vonesë dhe një dramë. Vonesa ishte që ne për të hyrë në BE filluam të zbatonim të gjitha ato normat e tregtisë së lirë.

Dhe çfarë ndodhi? Situata për 30 vjet ishte që të gjithë mallrat europian hynë në Shqipëri, ndërsa mallrat shqiptare nuk kanë fuqi për t’u eksportuar në BE. Shqiptarët ngelin pa punë dhe një masë shumë e madhe emigrojnë në vendet e BE. Dhe kështu u vendos në një farë mase ekuilibri. Ata eksportojnë produkte te ne, ne eksportojmë fuqi punëtore te ata. Ky model ne na shkatërron. Ky është modeli ekonomik shqiptar. Ne kemi këtë model, duhet të përpiqem që këtë model ta mbajmë por ta moderojmë”, deklaroi Fuga.

Ai theksoi se sistemi politik shqiptar nuk është multi aktorial pasi për t’u bërë një ligj deputetët sot votojnë në grup dhe jo si individë.

“Sistemi politik shqiptar nuk është multi aktorial. Për t’u bërë një ligj duhet një tension mes aktorëve të ndryshëm, shoqërisë civile, grupeve të interesit. Këtu thuaj çfarë të duash. Deputetët votojnë në grup. Më gjej një deputet të PS që të votojë kundër kryeministrit”, u shpreh ai.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re