8 Qershor /ATSH-Gjergji Mima/ -Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se opozita nuk e do drejtësinë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë.

Në fjalën e tij në një takim elektoral në Berat për zgjedhjet e 30 qershorit, Rama tha se, “e kuptoni se çfarë çorapi duan ta bëjnë këta Shqipërinë dhe jetën demokratike. E kuptoni sesi këta duan t’i thonë shqiptarëve se ky vend nuk bëhet dhe në këtë vend, ne që jemi mësuar që në çdo shesh, të bëjmë përshesh, do vazhdojmë të bëjmë përsheshin tonë dhe juve nuk do t’ju lëmë”.

Por, tha Rama, “në fakt, kjo nuk është asgjë tjetër, veçse një përpjekje e dëshpëruar, e një grushti njerëzish të dëshpëruar, që bëjnë gjëra të dëshpëruara dhe që janë të destinuar të humbin në mënyrë të dëshpëruar”.

Kryeministri u shpreh se vendimi i Presidentit për të shfuqizuar dekretin për datën e zgjedhjeve, “është vazhdimi i asaj që ka ndodhur edhe me atë dosjen e famshme, me të cilën ju rrokanisën kokën juve dhe gjithë shqiptarëve, 999, 999, sikur flisnin për numrat e telefonatave rozë, duke u përpjekur të krijojnë një mjegull, një paqartësi, një sëkëlldi dhe të hedhin të gjithë baltën e mundshme për të shkuar pikërisht drejt realizimit të këtij plani, të shkatërrimit të zgjedhjeve dhe pastaj të marrjes peng të të gjithë procesit në demokraci, për të vënë kushte për reformën në drejtësi në radhë të parë”.

“E dëgjuat prokuroren e Krimeve të Rënda. I patë dhe disa nga faktet që nxori. I patë edhe sesi një grusht prokurorësh, që dihet botërisht se kush janë, kujt i kanë shërbyer gjithë jetën, në vend që ato përgjime t’i merrnin, t’i zbardhnin menjëherë dhe mbi to të fillonin menjëherë hetimet, i mbyllën, i futën në një kazan dhe i çuan tek partia dhe nga partia u hap kapaku për të krijuar gjithë atë konfuzion dhe jo vetëm për të hedhur të gjithë baltën e mundshme mbi qeverinë dhe mua personalisht, por duke  mos kursyer as Shqipërinë. Ato nuk janë zbulime të një gazete gjermane, ato janë nxjerrje e një sekreti hetimor dhe çuarja tek një gazetë gjermane, duke i marrë shqiptarët si budallenj që mund t’i tërheqin për hunde zvarrë, zvarrë zvarrë me idenë që obobo Gjermania e zbuloi këtë poshtërsi të madhe. Ndërkohë që çdo poshtërsi dhe sado e madhe që mund të jetë aty ose që mund të lidhë ata njerëz me gjërat që thonë duhej të ishte hetuar. Dhe kushdo që në ato muhabete do të provohej që ishte i lidhur me akte të paligjshme do duhej të ishte ndëshkuar”, tha Rama.

“Po këta nuk e duan drejtësinë të barabartë dhe të drejtë për të gjithë. Këta e duan drejtësinë siç e kanë pasur gjithmonë, një mjet në duart e tyre. Dhe kur thonë pse s’ka sot politikanë të dënuar. S’ka si të ketë sot politikanë të dënuar sepse për 30 vite me radhë ai sistem drejtësie është ngritur dhe mbajtur në këmbë dhe ushqyer me favore reciproke mes politikanëve që i kanë vënë ata atje dhe atyre që nga një anë kanë rrjepur popullin pronat, të drejtat, liritë dhe nga ana tjetër kanë mbyllur të gjitha dosjet e politikanëve”, u shpreh kryeministri.

Mjafton kjo, theksoi Rama, “për të bërë dallimin e madh dhe për të kuptuar që ne nuk jemi si ata. PS mund të ketë njëmijë e një të meta. Në 30 vjet të historisë së saj mund të kemi bërë njëmijë e një gabime. PS mund të ketë edhe dështime që mund t’i numërohen si në qeverisjen e vet të shkuar dhe të sotme. Por PS ka në anën e vet meritën e madhe që qëndron në anën e duhur të historisë që nga dita e parë e lindjes së saj. PS ka meritën e madhe që që nga dita e parë e lindjes së saj nuk ka bërë kurrë pazare me interesin kombëtar. Dhe sot PS ka meritën e madhe që është e vetmja forcë politike e shqiptarëve që e ka dashur që në sekondën e parë dhe vazhdon jo vetëm ta dojë, por  edhe ta mbështesë deri në fund reformën në drejtësi, për t’u dhënë të gjithë shqiptarëve mundësinë të jetojnë në një vend ku pavarësisht  sa i gjatë je apo sa i shkurtër je. As nuk mund t’i fshihesh drejtësisë kur je i shkurtër. Dhe as mund t’i ikësh asaj ngaqë je shumë i gjatë. Të gjithë njësoj për para ligjit dhe pastaj të shikojmë jemi njësoj apo jemi ndryshe”.

Ata, tha Rama, “janë një tufë të mbaruarish, që e kanë nxjerrë Shqipërinë rrugëve të botës duke ushqyer me baltë për Shqipërinë, të gjithë ata që duan të bëjnë sensacione dhe të shesin gazeta dhe emisione dhe të gjithë ata që duan arsye për të thënë, jo Shqipërinë nuk e pranojmë dot në BE. Këta janë ata”.

“Ata e duan Shqipërinë pa drejtësinë që duam dhe që mbështetet fuqimisht nga partnerët dhe miqtë tanë amerikanë dhe europianë. Ata e duan Shqipërinë jo në rrugën e  Europës. Sepse e dinë mirë. E kanë parë se çfarë kanë ndodhur në vendet e tjera kur janë hapur negociatat. Hapen dyert për negociatat, fillojnë hapen dhe dyert e burgjeve. Dyert që ata i shohin dhe në ëndërr. Se me thënë të drejtën faj nuk kanë. Kanë bërë ç’nuk kanë bërë. Kanë bërë më shumë se ç’dimë ne, po dhe me aq sa dimë ne, ata sot nuk duhet të ishin duke bërë moral. Nuk duhet të ishin duke tundur gishtin dhe duke kërcënuar popullin. Duhet të ishin duke pritur të mbaronin dënimet. Apo jo. Se flasin për dyshime për përgjime”, u shpreh Rama.

“Kush flet, Lulzim Basha që është në hetim sot nga drejtësia amerikane dhe shqiptare. Lulzim Basha që ka qenë i akuzuar, jo me përgjime, po me 270 faqe dosje të Prokurorisë, në kohën kur ishte edhe në qeveri. Apo Lulzim Basha bashkë me të atin e tij, plakun e marrë, që i ka mbledhur të tërë këta që nga Ilir Meta tek Lulzimi tek Monika të gjithë me radhë si kokrrat e tespijeve të Meres. Dhe i tund duke dashur t’i kthejë në fytin e Shqipërisë”, u shpreh Rama.

“Po ju them dhe mbajeni mend. Zgjedhjet do të bëhen më 30 qershor dhe ato tespije do të shpërbëhen. Do shpërbëhen nga duart e plakut dhe kokrrat do shpërndahen sa andej këtej. Pastaj me kokrrat që janë rrumbullake do vazhdojë ripërtëritja e opozitës, me kokrrat me gunga do merret drejtësia”, tha Rama. /j.p/

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re