Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ndaj protestave dhe kundërshtimeve lidhur me projektet e investimeve në ishullin e Sazanit dhe në zonën e Zvërnecit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha i ka cilësuar kritikët e këtyre projekteve si një grup “hipokritësh”.

Berisha deklaroi se si ai, ashtu edhe ish-kryeministri Fatos Nano, janë marrë personalisht në të kaluarën për t’ia ofruar Sazanin investitorëve të huaj, duke theksuar se bëhet fjalë për projekte të përmasave të mëdha dhe jo investime të thjeshta.

“Ata që qajnë elegjinë e Sazanit janë një grup hipokritësh. Të derdhin lot sa të duan, se jam marrë direkt, edhe Fatos Nano është marrë. Ua kemi ofruar investitorëve dhe nuk është investim i thjeshtë,” u shpreh lideri i demokratëve.

Duke iu përgjigjur shqetësimeve për dëmtimin e natyrës, kryedemokrati siguroi se projektet nuk do të cenojnë pasurinë natyrore të zonës. Ai bëri një dallim të qartë mes statusit juridik të Sazanit dhe atij të Zvërnecit, duke sqaruar se ku qëndron veçantia e ishullit:

Berisha theksoi se çudia e Sazanit nuk janë brigjet apo deti, por bimësia e mrekullueshme në një ishull pa ujë, e cila, sipas tij, do të ruhet plotësisht.

Sipas tij, ndryshe nga Sazani, Zvërneci në tërësinë e tij është tokë private, zonë e banueshme ku njerëzit kanë jetuar historikisht.

Në mbyllje të qëndrimit të tij, kreu i PD-së rikonfirmoi linjën e forcës politike që ai drejton, duke bërë të qartë se zhvillimi ekonomik përmes kapitalit të huaj duhet të eci paralelisht me mbrojtjen e ekosistemit. “Ne mbështetëm investimin e huaj, por ne jemi parti që qëndrojmë plotësisht për respektimin e mjedisit,” përfundoi Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re