Politikania kosovare Alme Lame, përmes një lidhjeje të drejtpërdrejt me emisionin Pushteti në FaxNews, foli rreth dhunës verbale dhe fizike të ushtruar ndaj grave në përgjithësi dhe ndaj grave në politikë në veçanti.

Lame u shpreh se gratë në politikë atakohen përmes një gjuhe mjaft të ashpër dhe fyese, e cila është një formë mjaft e qartë e dhunës verbale. Në këtë aspekt sipas saj një rol të rëndësishëm luan dhe media, ku përmes fake-news-eve dhe interesave lidhur me pushtetin i jepet jehonë kësaj dhune verbale që prek gratë dhe vajzat gjatë rrugëtimit të tyre politik.

Sipas ish-deputetes kosovare, një gjë e tillë ndodh pasi nuk kemi një funksionim të procesit gjyqësor, ku dosje të tilla vetëm shtyhen dhe nuk marrin drejtësinë e merituar.

“Kjo është dhunë verbale dhe unë jam një nga ata që e kam përjetuar më së shumti këtë lloj dhunë verbale dhe persekutimi, jo vetëm në rrjete sociale por edhe nga mediat tradicionale, për shkak të ideve të mia apo qëndrimeve për çështje të caktuara. Kjo dhunë ndaj grave në politikë ndikon në vullnetin e grave për t’u marrë me politikë.

Me të vërtetë duhet të kesh lëkurën shumë të trashë të durosh lloj lloj shpifje, ofendimi dhe fyerje. Sidomos kur ke dhe familje kjo bëhet shumë problematike dhe traumatike. Janë mediat dhe portalet ato që e nxisin këtë lloj dhune përmes fake news-eve. Kjo ndodh pasi nuk kemi një sistem të drejtësisë që funksionon, ku dosjet shtyhen deri në 10 vjet. Ka raste që dhuna verbale kthehet në dhunë fizike. Kemi një rast ne Kosovë ku një  vajzë e cila ishte veshur me fund të shkurtër, pas publikimit të fotos në rrjete sociale ajo u bë viktimë e dhunës fizike.

Fatkeqësisht ne Kosovë apo dhe në Shqipëi nuk ka asnjë lloj ndëshkimi për këtë lloj gjuhe ofenduese. Gratë atakohen më së shumti në aspektin moral dhe ky është diskriminim që i ka rrënjët e thella dhe është strukturor dhe fillon që në familje ose dhe që në barkun e nënës. Në Kosovë kemi një numër mjaft të lartë aborti selektiv pr të rritur djem”, tha Lame.(F.M/Faxweb.al)



/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re