Të shumta ishin videot e fotot që treguan dimensionin tragjik të ndodhive që mbështollën Afganistanin javë më parë, kohë në të cilën trupat amerikane u larguan, ndërsa ato talebane morën pushtetin e vendit.

Çdokush kujton pamjet e trishta e në raste tragjike të mijëra njerëzve që kërkonin të largoheshin përmes aeroportit, por askush si pamjet e një foshnje të vogël, e cila u ngrit në ajër, kaloi telat me gjemba dhe u kap nga një prej ushtarëve amerikanë.

Në kohën që u regjistrua video (gusht), foshnja kishte pak më shumë se dy javë që kishte lindur. Ajo ishte një vajzë, e quajtur Lia. Fatmirësisht vogëlushja është në gjendje të mirë shëndetësore dhe ndodhet në krahët e prindërve, të cilët kanë mbërritur në SHBA.

Babai e nëna e foshnjes kanë folur për herë të parë në lidhje me atë që panë e përjetuan në aeroportin e Kabulit. Babai, i quajtur Hamid, tregoi se punonte si linguist dhe këshilltar kulturor për forcat amerikane. Në gusht ai punoi në aerport dhe madje nuk kishte mundur të shkonte për të parë as lindjen e të bijës. Kur kuptoi se situata po shkiste drejt kaosit, telefonoi të shoqen dhe i kërkoi të vinte në aeroport për t’u larguar nga vendi.

E shoqja e Hamidit nuk fliste anglisht dhe qe ai që tregoi rrëfimin e saj për gazetarin.

“(Ime shoqe) Tha se rrugës për në aeroport i kanë vjedhur gjithçka kishte. I morën pasaportën, bizhuteritë e paratë që kishte marrë me vete. Kishim ruajtur një shumë prej afro 30 mijë dollarësh… të gjitha kursimet e jetës, gjithsesi ato para tashmë kanë ikur”

Mrekullisht Hamidi kishte mundur të pikaste të shoqen së bashku me vajzën. I ishte lutur një marinsi amerikan që ta fusnin përmes murit, pavarësisht se do të ishte një orvatje e rrezikshme. Shqetësimi i tij kishte qenë se e shoqja së bashku me të bijën do të shtypeshin nga turma. Fatmirësisht Lia shpëtoi dhe për afro dy minuta Hamidi kishte mbajtur në krahë për herë të parë të bijën. Më tutje ia kishte dorëzuar një ushtari, për të vijuar më tutje punën e në veçanti për të ndihmuar të shoqen, të cilës i kishin rënë të fikës pranë murit rrethues.

“Atë ditë, i dorëzova vajzën time një njeriu krejt të panjohur. E vetmja gjë që mendova ishte se ai ishte marins dhe se vajza do ishte më e sigurt me të. Atij ushtari që mbajti vajzën, do doja t’i jepja një përqafim. Shpresoj që një ditë ta takoj e t’i them se i shpëtoi jetën vajzës sime”

Në kohën kur u bë video, Lia ishte vetëm 16 ditëshe, ndërsa tashmë është 8 javëshe. I pyetur nga gazetari se çfarë do t’i tregojë të bijës kur të rritet, Hamidi tregoi:

“Do i them se ishte një luftëtare e vërtetë… se kaloi të keqen e më të keqes. Kur të rritet do t’i them se i është dhënë një mundësi, një mundësi që shumë të tjerëve nuk iu dha”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re