Një shpërthim tritoli la të plagosur tre persona mes tyre dhe shënjestrën e dyshuar të atentatit në lagjen “Rus” të Shkodrës.
 
500 gramë eksploziv ishte vendosur në një biznes vetëm 100 metra larg komisariatit ku po zhvillohej një ceremoni me rastin e 105 vjetorit të Policisë, ndërsa në momentin e shpërthimit zona ishte mjaft e populluar.
 
Rrezja e eksplozionit dëmtoi dhe disa automjete të parkuara aty pranë ndërsa sipas hetuesve objektivi i atentatit besohet të jetë Lulzim Kulla pronar i dyqanit.
 
Blutë dyshojnë se lëvizjet e pronarit të biznesit monitoroheshin nga atentatorët, të cilët sapo kanë parë se ai u afrua në zonë kanë aktivizuar shpërthimin me telekomandë.
 
Forca të shumta policie dhe ambulanca mbërritën në vendngjarje për t’iu ardhur në ndihmë të lënduarve. Pas transportit për në Spitalin e Shkodrës, mjekët thanë se të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
 
Lulzim Kulla nuk është një emër i panjohur për policinë. Hetuesit thanë se ai është person me precedentë të theksuar kriminalë kryesisht në gjobëvënien ndaj bizneseve.
 
Në një rast pas vitit 1997 një tregtar pakice i gazit që nuk pranoi të paguante gjobën u torturua për vdekje. Për ngjarjen e rëndë dyshohej Lulzim Kulla, por në atë kohë askush nuk u arrestua nga policia.
 
Grupet kriminale të gjobëvënies nuk janë të reja për Shkodrën. Në mars të vitit të kaluar policia shkatërroi një bande të tillë qe përbërë prej 7 anëtarësh.
 
Sipas Prokurorisë, ata kishin krijuar një strukturë kriminale për të mbledhur me anën e dhunës, kanosjes dhe kërcënimeve shuma parash nga shitësit e tregut të Zdrales dhe të Rrugës së Gjerë të Kirasit.
 
Sipas akuzës, anëtarët e grupit në çdo fund muaji merrnin nga çdo tregtar shumat nga 1000 deri në 3000 lekë ndërsa numri i tregtarëve që detyroheshin të paguanin ishte mjaft i lartë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re