Janë identifikuar 2 personat që mbetën të plagosur si pasojë e një shpërthimi me tritol në orët e para të mëngjesit të sotëm në kryeqytet.

Mësohet se dy personat e plagosur janë shoferi i mjetit ku u vu tritoli, Mikel Harizaj dhe pasagjeri Serini Dumi.

Harizaj rezulton person me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në vitin 2009 ka tentuar që të vrasë me granatë dore tre persona.

Ai u arrestua vetëm 3 vite më vonë nga Policia, teksa qëndronte te disa miq të tij në Tiranë.

Harizaj rreth orës 23:00 të datës 10 prill 2009, në Selenicë, për motive të dobëta është konfliktuar me tre shtetas në ambientet e një lokali. Menjëherë pas konfliktit, Mikel Harizaj ka dalë nga lokali dhe ka shkuar në makinën e tij, të cilën e kishte të parkuar afër lokalit nga ku ka marrë një granatë dore, me të cilën ka sulmuar shtetasit e mësipërm.

Nga shpërthimi i granatës u plagos rëndë asokohe shtetasi G. A., dhe më lehtë dy të tjerët. Operacioni për kapjen e tij u bë në Tiranë, pasi Mikel Harizaj ndodhej i fshehur te disa persona, me të cilët kishte lidhje shoqërore. Ndaj tij hu ngrit akuza për vrasje të mbetur në tentativë.

Duket se pas vuajtjes së dënimit, ndaj Harizajt ka nisur hakmarrja.

Si ai, si 26-vjeçari Dumi, ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore./Faxweb.al

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re