NIKOLETA KOVAÇI/ Asnjë i dyshuar nuk është mbajtur në pranga nga Policia e Shkodrës dhe as e Shtetit në lidhje me aktin makabër të sulmit me armë që ndodhi në Dobraç të Shkodrës pasditen e 30 tetorit.

Madje, ende nuk ka asnjë pistë konkrete ku ka fokusuar hetimet, ndërsa dje ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, i cili ka premtuar publikisht se krimi barbar do të zbardhet. Dje, grupi hetimor është rikthyer edhe njëherë në vendin e ngjarjes, ka rimarrë pamje të tjera, ka kërkuar dëshmitarë të tjerë, ndërkohë që përgjatë natës së pasngjarjes janë shoqëruar shumë persona, mes të cilëve burra nga fisi i Bajrajve.

Por gjatë marrjes në pyetje kanë deklaruar se: “Nuk kemi lidhje me ngjarjen”! Policia dhe as prokuroria nuk kanë mundur të shkojnë tek asnjë person i dyshuar, duke theksuar se atentatorët kanë qenë të maskuar e për pasojë nuk mund të identifikohen me tipare fizike.

Ndërsa pretendohet se armët e gjetura në mjetin e viktimave do të sjellin ndonjë detaj në lidhje me zbulimin të paktën të shkaqeve të ngjarjes, pasi pretendohet se në mjetin e tyre ka qenë një person i tretë. Policia ka shpërndarë për mediat foton e një të riu, që ende nuk dihet nëse ka qenë kalimtar rasti apo në makinën e Hamza Licit e të Arlind Bushatit.

Por ajo që u mësua ditën e djeshme ishte fakti tronditës, që familja e Mustafa Licit nuk ka pranuar të hapë dyert e mortit për të birin e vet, por kanë vendosur ta përcjellin vetëm me dhimbjen e tyre. Më i vogli i familjes së tij, vetëm 23 vjeç, u vra me breshëri kallashnikovësh që dolën nga një automjet luksoz, i cili më pas u gjet i djegur në lagjen Golem të Grudës. Edhe pse Policia ende nuk e ka publikuar mekanizmin se si ka ndodhur krimi që terrorizoi jo vetëm Shkodrën, bëhet me dije se një tjetër mjet ka qenë në vendngjarje në ndihmë të atentatorëve, mjet që iu ka prerë rrugën djemve që udhëtonin me “Benz”-in me targa kroate, që drejtohej nga 23-vjeçari Hamza Lici.

ÇIFTI BASHA

Çifti Flutura dhe Bashkim Basha u gjendën në vendin dhe kohën e gabuar gjatë atentatit mafioz dy ditë më parë në lagjen “Dobraç” të Shkodrës. Çifti ishte duke udhëtuar me motor, kur u përplasën nga makina ku gjendeshin Hamza Lici dhe Arlind Bushati drejt të cilëve po qëllohej me breshëri automatiku. Makina tip “Benz” me të cilën po udhëtonin përplasi çiftin pas humbjes së kontrollit.

Gruaja humbi jetën në vend nga përplasja e fortë, ndërsa burri ndodhet ende në spital, në gjendje kritike për jetën. Hamza Lici gjithashtu ndërroi jetë në vend, kurse Arlind Bushati disa orë më pas në spital, pasi mori një plumb fatal në kokë. Çifti Basha u mësua se kanë tre fëmijë të rritur dhe në momentin që u përballën me pritën gjakësore, ata po udhëtonin në drejtim të vajzës dhe me vete kishin edhe një çantë me fruta për fëmijën e tyre!

NGJARJA

Numri i viktimave nga masakra në Shkodër shkoi në tri me vdekjen e Arlind Bushatit, djalit të ish-kandidatit për kryetar në këtë bashki, Xhemal Bushati. Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit. Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë.

Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip “Benz” me targa kroate, në momentin që u qëlluan. Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje. Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.

Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj iu afruan me motor dhe i drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar. Në këtë masakër me tri viktima, e vdekur mbeti edhe një kalimtare, e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin. Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip “Benz” me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur. Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, aktualisht i vetmi i plagosur nga ngjarja. Një makinë tip “Land Rover” model i ri e djegur është gjetur në fshatin Grudë e Re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes.

Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat. Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tri pistoleta. Dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët. Deri më tani disa persona janë shoqëruar në komisariat, ndërsa ende nuk ka një autor.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re