Skip to content

Atentati me 3 viktima në Memaliaj, ende pa asnjë autor! Shoqërohen në polici 27 persona, kontrolle në qytete të ndryshme të vendit

Ende nuk ka asnjë autor nga atentati me 3 viktima në Memaliaj, ngjarje që tronditi vendin pak pas mesnatës së të shtunës (21 Korrik).

Mësohet se janë shoqëruar nga policia 27 persona, ndërsa janë kryer kontrolle në qytete të ndryshme të vendit.

Deri në këto momente janë ushtruar 25 kontrolle në Memaliaj, Tepelenë, Vlorë, Fier, Elbasan, Tiranë, Lezhë, Shkodër.

Kupola e Drejtorisë së Përgjithshme e Policisë se Shtetit raportohet se është stacionuar për ndihme në Drejtorinë e Policisë Vendore në Gjirokastër.

Ndërsa i Policisë së Gjirokastrës Ardian Çipa po drejton veprimet për zbulimin e të gjithë dinamikes së krimit të ndodhur një dite më parë në Memaliaj.

Masakra me 3 viktima

Shyqyri Kalemi, një biznesmen i njohur në Tepelenë, bashkë me të vëllanë, u gjendën në një kafene në afërsi të godinës së bashkisë.  Kur kamerieri ka shkuar në tavolinën e tyre të çonte porosinë, një makinë e zezë është ndaluar në hyrje të biznesit.

Një person ka zbritur prej saj dhe ka qëlluar me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku gjendeshin Shyqyriu dhe Arturi, dy vëllezërit Kalemi, mbiemri i të cilëve lidhet pazgjidhshmërisht me një mori ngjarjesh që zënë fill në harkun kohor të më pak se dy viteve.

Shyqyriu, 74 vjeç ndërron jetë në vend, ndërsa Arturi, në moshë më të re, lëviz për t‘iu shmangur plumbave breshëri që derdheshin mbi ta, por plumbat kapin kamerierin dhe një klient e banor të lagjes. Të dy ndërrojnë jetë, ndërsa Arturi, vëllai i biznesmenit, mbijetoi, duke u nisur nga persona të tjerë në drejtim të spitalit të Gjirokastrës.

Thuhet se është në gjendje të rëndë dhe gjendet në reanimacionin e këtij spitali, ndërsa policia si gjithnjë shkon vonë në vendin e ngjarjes. E vetmja shenjë që lanë vrasësit ishte makina në flakë bashkë me armët e krimit. Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, policia nuk ka asnjë të dyshuar, aq më pak të ndaluar për ngjarjen e rëndë që i ngjan më shumë një akti terrorist se sa një hakmarrjeje mes grupeve rivale të ‘ngjizur’ në Memaliaj.

Por historia gjakësore që po trondit vendin me atentate të njëpasnjëshme shtrihet që nga Athina e deri në Belgjikë, ndërkohë që viktimat vriten në Tiranë dhe Memaliaj.

HETIMET DHE DYSHIMET

Policia e Gjirokastrës ka kërkuar ndihmën e RENEA-s dhe të skuadrave të specializuara në hetimin e krimeve të rënda menjëherë pas ngjarjes. Janë ngritur postblloqe të shumta, por pasi është gjetur e djegur makina, që duket se autorët kanë zgjedhur të vijnë në drejtim të Mallakastrës. Policia ka bllokuar rrugët kryesore që lidhin zonat, por autorët si gjithnjë janë larguar me mjete të tjera, duke bërë që ngjarja të ketë qenë e mirorganizuar, në njerëz dhe në logjistikë.

Prej orëve të para të së djeshmes janë krehur zona të tëra me qëllim zbulimin e ndonjë gjurme të autorëve, ndërkohë që policia dhe prokuroria janë rikthyer edhe njëherë në vrasjet e pamëshirshme, që duket që kanë nisur me ekzekutimin brutal dhe mafioz të Aleksandër Sadikajt në Tiranë, më 11 qershor të dy viteve më parë. I riu që u hodh në erë me minë të telekomanduar ishte nipi i Shyqyri dhe Artur Kalemajt, djali i motrës së tyre e për pasojë dyshohej dhe dyshohet se gjithçka ka nisur pas ekzekutimit të 27-vjeçarit në afërsi të rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë.

Policia dyshon që masakra e mesnatës së të shtunës ka lidhje pikërisht me hakmarrjen mes dy fiseve, por duke njohur historinë e djalit të shënjestrës së atentatit me tre të vrarë, dyshimet shkojnë më tej dhe madje jo pak po 23 vjet më parë. Grupi hetimor ka marrë dëshmitë e para janë kërkuar pamje filmike, janë marrë armët kallashnikov të gjetura në mjetin e vrasësve, me qëllim gjetjen e ndonjë gjurmë të autorit të sulmit, janë kryer kontrolle në sistemin TIMS për hyrje-dalje të personave që mund të dyshohen për hakmarrje, ndërkohë që janë hapur dosjet e pazbardhura të një sërë aktesh kriminale që kanë përgjakur Tiranën dhe Tepelenën.

Grupi hetimor shpreson në përmirësimin e gjendjes së Artur Kalemit, prej të cilit pritet të merret një dëshmi më e saktë nëse gjithnjë dhe gjithmonë ka fiksuar ndonjë detaj nga ekzekutori i pamëshirshëm që iu mori jetën edhe dy personave që nuk kishin lidhje me asgjë kriminale në jetën e tyre.

PËRPLASJET MES GRUPEVE

Policia pretendon se personat që realizuan atentatin janë pjesë e sagës së hakmarrjes që mendohet që vjen pas ekzekutimit të Edmond Papës. Biznesmeni i njohur u ekzekutua në Tiranë rreth 6 muaj pas atentatit me minë ku mbeti i vrarë Aleksandër Sadikaj. Për vrasjen e Papës janë identifikuar dy persona, njëri është vënë në pranga dhe tjetri është shpallur në kërkim. Personi që është vënë në pranga është mik i Andrea Kalemit, djalit të Shyqyri Kalemit që u vra mesnatën e së shtunës.

52-vjeçari dyshohet se i kërkoi mikut të tij të ekzekutonte Papën, me shkakun se në hotelin e tij në Sarandë ishin kurdisur planet për vrasjen e kushëririt të tij, Aleksandrit. Por të dhënat e dyshimta kriminale mbi aktivitetin e Andrea Kalemit lidhen me një histori të ngjashme me sulmin e së shtunës. Ka ndodhur në Belgjikë, 23 vjet më parë, teksa në një lokal janë ekzekutuar me plumba në kokë dy vëllezër.

Ndonëse emri i kërkuar prej drejtësisë belge në atë kohë duket se nuk ka lidhje me Andrea Kalemin, vite më vonë u fol se në vendin e ngjarjes ishin edhe Andrea bashkë me xhaxhanë e tij, Fatmirin. Por, përplasjet e dy viteve të fundit, duket se janë më afër faktit që mund të çojë tek pista e hakmarrjes, kur sulmohen me breshëri dy vëllezërit Kalemi.

Policia dhe as prokuroria nuk kanë asnjë të dhënë në lidhje me autorët e mundshëm të sulmit mbi Aleksandër Sadikajn, nipin e Kalemajve, ndërkohë që pas vrasjes së Edmond Papës, vëllait të Andreas i është bërë pritë në Tiranë. Ai mundi të shpëtonte, ndërsa Andrea është sulmuar në burgun e Koridhalos, vetëm pak kohë më parë. Ai mbeti i plagosur dhe mediat greke thanë se autori i sulmit ishte një i burgosur egjiptian.

 

 

“”