Fax News mëson detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi mesditën e sotme në zonën e Teg-ut në Tiranë, ku u vra në një atentat me bombë në makinë i riu nga Berati Aleksandër Sadikaj.

Burime bëjnë me dije se grupi hetimor ka dyshime se autorët e shpërthimit që deri tani dyshohet të jetë me telekomandë, kanë ndjekur të gjitha lëvizjet e tij në një karburant që ndodhet shumë pranë rrethrrotullimit.

Për këtë shkak grupi hetimor ka sekuestruar pamjet e sigurisë të biznesit në fjalë, në mënyrë që të shkohet drejt identifikimit të autorëve. Ekspertët thonë se shpëthimi me telekomandë nuk mund të bëhet në një distancë më të madhe se 500-700 metër, dhe për këtë dyshimet e policisë janë se autorët kanë ndjekur me sy të lirë të gjithë skenën.

Lënda plasëse shpërtheu në momentin që në rrugë nuk kishte mjete të tjera që mund të rrezikoheshin, çka tregon se autorët e kanë pasur të qartë planin e tyre të veprimit por edhe fushëpamjen. Sadikaj, 27 vjeç, me origjinë nga Berati, ishte duke lëvizur me mjetin e tij në drejtim të Elbasanit, në momentin e shpërthimit.

Fillimisht ai arriti të dilte nga mjeti, edhe pse i gjymtuar, por për shkak të plagëve të mëdha të marra, dhe humbjes së gjymtyrëve, ndërroi jetë në spital sipas policisë. Në vendgjarje mbërritën edhe ekipe të RENEA-s, për të shmangur çdo incident të mëtejshëm me sasinë plasëse në mjet, që duhet thënë se përfundoi totalisht i shkrumbuar.

Pista kryesore në të cilën po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi Sadikaj ka qenë i proceduar për tentativë vrasje, edhe pse duhet thënë se nuk është shpallur fajtor, e aq më tepër të ketë pranuar që ka pasur lidhje me ngjarjen. Nuk përjashtohet mundësia e përfshirjes së tij, në aktivitete kriminale që lidhen me trafikimin e lëndëve narkotike.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re