Një 47-vjeçar u plagos sot (30 qershor) në një atëntat me eksploziv që i ishte vendosur makinës së tij. Ngjarja ndodhi në fshatin Malaj në Mirditë, ku i plagosur mbeti Lodovik Syziu.

Lodovik dhe Dritan Syziu

Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e pasme të automjetit të parkuar pranë banesës së 47-vjeçarit dhe shpërtheu sapo ky i fundit ndezi makinën.

I plagosuri u dërgua për ndihmë mjekësore në Spitalin e Rrëshenit, nga ku mësohet se ndodhet nën kujdesin e bluzave të bardha jashtë rrezikut për jetën.

Ende nuk ka asnjë gjurmë për autorët dhe nuk dihen motivet e ngjarjes ende nuk dihen. Autoritetet po hetojnë në dy pista, të shkuarën kriminale të vëllait, Dritan Syziu, i shpallur në kërkim dhe i dënuar me burgim të përjetshëm, por edhe ndonjë konflikt të 47-vjeçarit me banorë të zonës.

Kush është Dritan Syziu?

Dritan Syziu, i njohur ndryshe si kreu i bandës së Mirditës është i shpallur në kërkim, pasi dyshohet për disa ngjarja kriminale të ndodhur në vitin 1997. Prej shumë vitesh nuk ka asnjë gjurmë për të.

53-vjeçari Dritan Syziu është dënuar me burgim të përjetshëm për një ngjarje që ka ndodhur më 28 qershor të vitit 2000, ku mbeti i vrarë punonjësi i policisë, Gjon Paçuku. Këtë vrasje ai e ka kryer në bashkëpunim me 5 persona të tjerë.

Vrasja e policit

Më 28 qershor të vitit 2000, 6 persona në Mirditë,  Dritan Syziu, Nikollë Syziu, Bardhok Syziu, Tonin Gjoka e Arjan Reçi vendosën që të grabisnin disa pjesë këmbimi për makina të një parkingu pranë ish-SMT-së së qytetit.

Autorët pikasen nga roja dhe ky i fundit njofton Policinë. Menjëherë në vendngjarje erdhën efektivat e policisë, të cilët mendonin se kishin të bënin me një vjedhje modeste.

Pasi kanë parkuar makinën jashtë ish-SMT-së, u kanë kërkuar anëtarëve të bandës që të dorëzohen. Por autorët kanë qëlluar me armë në drejtim të Policëve dhe aty mbeti i vrarë efektivi Gjon Pacuku dhe u plagosën Nikollë Marku, Bardhosh Jaku e Ndue Çupi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re