Policia e Vlorës arrestoi 25 Vjeccarin Inez Hajrulla, i cili mbeti i plagosur rëndë një ditë më parë, si pasojë e një shpërthimi me tritol në automjetin e tij.
 
Blutë e Vlorës thanë se pas kontrollit të automjetit tip fuoristradë u gjet një pistoletë tip Glock brenda një çante supi, si dhe një krehër me 17 fishekë.
 
Sipas policisë 25 vjecari është person me precedentë të theksuar kriminalë, si dhe i dënuar më parë në fushën e krimeve kundër personit, grabitjes me armë, por dhe trafikimit të automjeteve.
 
Në 20 Dhjetor 2016, i riu u arrestua po për të njëjtën vepër penale, atë të mbajtjes pa leje të armëve. Në momentin e kontrollit nga uniformat blu, Hajrulla e kishte hedhur armën në tokë pranë shkollës industriale,  por policia tha se i përkiste 25 vjecarit.
 
Po ashtu në vitin 2013 Inez Hajrulla sëbashku me një person tjetër u dyshua se grabiti një kazino në qytetin e Vlorës, por u la i lirë për mungesë provash.
 
Nga ana tjetër, hetuesit dyshojnë se përfshirja e tij në një plagosje po në Vlorë disa vite më parë, mund të jetë shkaku i atentatit ndaj tij.
 
Deri më tani ende nuk ka një pistë zyrtare, por dyshohet se edhe ndërrimi i emrit nga Imer në Inez nga 25 vjecari është bërë për shkak të konflikteve të shumta që ai ka pasur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re