Policia ka dhënë detaje në lidhje me atentatin e ndodhur në Durrës ku mbeti I plagosur prokurori Arjan Ndoja dhe dy persona të tjerë.

 

Ngjarja, sipas policisë, ka ndodhur ne aksin rrugor Durrës – Tiranë në afërsi të mbikalimit të Shkozetit, rreth orës 16:30, në afërsi të vendit të quajtur “Mbikalimi i Shkozetit” ku nga një automjet është hapur zjarr në drejtim të mjetit me targa AA 333 ZD, ku për pasojë janë plagosur shtetasit A.L., 48 vjeç, Arjan Ndoja, 44 vjeç dhe A.M., 30 vjeç.

 

Ndërkohë shtetasi A.M. është nisur për mjekim të specializuar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa dy shtetasit e tjerë ndodhen në Spitalin Rajonal Durrës, jashtë rrezikut për jetën.

 

Policia e Durrësit është vënë në ndjekje të autorëve, nga ku po krihet zona dhe në të gjitha akset rrugore që lidhen me Durrësin ka ngritur pika kontrolli.

 

Mësohet gjithashtu se për zbardhjen e ngjarjes është ngritur menjëherë një grup i posaçëm hetimor nga Departamenti i Policisë Kriminale, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re