Lirohen tre personat e shoqëruar në polici për atentatin e mesnatës së 4 korrikut në Larushk të Krujës, ku mbeti i vrarë daja i shtëpisë dhe të plagosur nipërit e tij të mitur.

 

Marklen Haka ishte një nga të shoqëruarit në policinë e Krujës, sikundër edhe dy vëllezërit, Durim dhe Valter Bami, të cilët kanë mohuar kategorikisht përfshirjen e tyre në atentatin mafioz. Ata u morën në pyetje veçmazi në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen, por përmes deklarimeve të tyre, grupi hetimor nuk mundi të zbardhë dot ngjarjen e rëndë. Ndërkohë, gjatë ditës së sotme në pyetje janë marrë edhe 10 persona të tjerë, me dyshimin se mund të kenë informacion për rrethanat e krimit.

 

Atentati i 4 korrikut kishte për objektiv, Gentjan Bejtjan, i cili ende nuk është thirrur për të dhënë deklarimet e tij në polici, ku të plagosur mbetën fëmijët e tij, 10 dhe 13 vjeç. Vizion plus mëson se gjendja e 13 vjeçarit vijon të jetë akoma e rënduar.  Po ashtu, tri kallashnikovët e gjetur në fshatin Tapizë brenda një makine të shkrumbuar, janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore dhe pritet përgjigje nëse janë përdorur të trija për të qëlluar, si dhe nëse janë përdorur në ngjarje të tjetra kriminale.

 

Kjo ishte hera e tretë që Gentjan Bejtja është objektiv i një atentati, ku në secilin ka arritur të shpëtojë. I pari ka ndodhur në vitin 2016, kur makinës së tij iu vendos eksploziv, por ai arriti të shpëtonte me disa plagë të lehta, ndërsa i dyti ka qenë në zonën e Niklës, në Fushë Krujë në vitin 2022.

 

Vetë Bejtja rezulton person me precedent penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër personit dhe pronës, i arrestuar për një arsenal armësh në shtëpinë e tij e ndërsa dy herë është shoqëruar në polici për dyshime se mund të ketë gisht në dy atentate, atë ndaj Iliaz Çalit dhe sulmin ndaj shtëpisë së Marklen Hakës, personi që u lirua nga policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re