Dy të arrestuarit për atentatin e dështuar në Elbasan, Arben Spahiu dhe Arsen Preçi, kanë dalë sot para gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.

 

Ata akuzohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve”, “Falsifikimi i dokumenteve” si dhe “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

 

Sipas burimeve, të akuzuarit kanë mbajtur qëndrim mohues përballë hetuesve. Ata nuk kanë pranuar të kenë lidhje me mjetin luksoz tip “BMV X6” që u gjet në lagjen “Emin Matraxhiu”, në zonën e quajtur “Ish-konservimi”, brenda të cilit u zbuluan tre armë kallashnikov, 2 bidonë me benzinë, por dhe për çantën ku u gjet pistoleta.

 

53-vjeçari, Arben Spahiu, ka pohuar se nuk ka dijeni për mjetin dhe armët. Ndërsa në lidhje me dokumentet e falsifikuara greke me fotografinë e tij, që u gjetën në afërsi të një koshi plehrash, Spahiu ka thënë se ato mund të jenë sajuar nga dikush që ka dashur t’i bëjë keq.

 

Ndërkohë prokuroria e Elbasanit po e heton ngjarjen si të lidhur me grupin e Erion Alibej. Nëse kjo gjë provohet, që dy te arrestuarit merrni urdhra nga Alibej, dosja do i kalojë SPAK-ut për grup te strukturuar kriminal.

 

Ende nuk dihet se kush ishte konkretisht shënjestra e atentatit, por nga provat e mbledhura deri më tani, hetuesit mendojnë se dy të ndaluarit mund të ekzekutonin Elton Kilën, i njohur ndryshe dhe si Oti i Elbasanit. Këtë të fundit dyshohet se tentoi të eliminonte dhe Nuredin Dumani, para se të arrestohej nga policia.

Por nuk përjashtohen as pistat që shënjestër të kenë qenë dhe persona të tjerë anëtarë të bandave rivale kriminale, që operojnë në këtë qytet.

 

53-vjeçari Arben Spahiu është kunati i Erjon Alibej, i cili ndodhet në burg si porositës i vrasjes së Emiliano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura gjatë muajit korrik te vitit 2020.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re