Profesori dhe akademiku Artan Fuga ka bërë një analizë të situatës politike të ditëve të fundit, sidomos pas aksionit që nisën sot deputetët e PD të mbështetur nga Berisha dhe Bardhi.

Fuga thotë se ‘qeveria dhe opozita në Kuvend deri tani janë në një pikë ekuilibri, ku secila palë duket se ka zënë vendin dhe qetësinë e vet’.

Sipas tij, pavarësisht se “nuk vihet shenjë barazimi, opozita në Kuvend nuk ka bërë dot realisht gjë më shumë se çfarë bënte PD kur drejtohet nga zoti Lulzim Basha”.

Fuga shprehet se ngelet për t’u parë nëse ky aksion qe nisi sot do të ndryshojë apo jo ekuilibrat.

Komenti i Artan Fugës

Ekuilibër politik: A do të prishet?

Qeveria dhe opozita në Kuvend deri tani janë në një pikë ekuilibri, ku secila palë duket se ka zënë vendin dhe qetësinë e vet.

Pushteti vazhdon pa problem rrugën e vet sepse opozita nuk ka numra që ta pengojë.

Ndërkaq një pjesë shumë e madhe deputetësh në opozitë duket se janë “ngrohur” me pozicionin e tyre si deputetë.

Të ardhura të larta që as një biznes i mesëm nuk i ka fitime mujore.

Reputacion në media dhe shoqëri.

Status social që i lë të përfitojnë në shoqëri.

Duket se ajo që duan është të kenë një vend në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme.

Grupi rreth zotit Basha kënaqet hëpërhë me vulën dhe me ndonjë avantazh që mendon se do t’i japë kjo vula në zgjedhjet e ardhshme. Do të ketë aq votues sa të nxjerrin ca deputetë?

Ky është edhe kuadri i afrimit të disa deputetëve në kampin që drejtohet nga zoti Berisha. Atje ka një depozitë votash për ta “kullotur”.

Nuk ka rëndësi fitojnë a jo, rëndësi ka të jenë përsëri deputetë!

Ekuilibër i plotë pavarësisht debateve, ligjërimeve me tone të forta.

A do të sjellë ndonjë të re kjo nisma e këtyre dy ditëve për ta ashpërsuar betejën në Kuvend?

Ta shohim.

Por, deri tani, sado nuk vihet shenjë barazimi, opozita në Kuvend nuk ka bërë dot realisht gjë më shumë se çfarë bënte PD kur drejtohet nga zoti Lulzim Basha.

Retorikë politike.

Ajo që vuan është sistemi i qeverisjes kur qeveria ka monopolin e pushtetit, dhe PD monopolin e opozitës!

A do të ketë energji ta prishë këtë pikë ekuilibri të qëndrueshëm?

Ta shohim!

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re