Kreu i “Foltores”, Sali Berisha ka zbuluar datën dhe orën e hapjes së fushatës zgjedhore për vendoret e 14 majit. Koalicioni “Bashkë Fitojmë” të shtunën (15 prill), në ora 12:00 do të hapë fushatën.

 

“Air Albania” është vendi që do të mbledhë mbështetësit e Berishës dhe aleatit të tij, kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

 

Sipas Berishës “Air Albania” është vendi nga ku ka nisur dhe “Rithemelimi”, ndaj është i njëjti vend ku do të synohet fitorja e zgjedhjeve vendore.

 

“I ftoj të gjithë shqiptarët ta kurorëzojmë me një festim madhështor si prelud i fitores sonë të ardhshme nesër në ora 12:00 në arenën e Tiranës “Air Albania”, e cila në fakt duhet të ketë vetëm një emër arena e lirisë. Aty nisi procesi i “Rithemelimit” nisi procesi që kurorëzohet nesër me një hapje, manifestim popullor të shkëlqyer”, tha Berisha.

 

Këtë ceremoni Berisha e krahasoi me fitoren e vitit 1992 dhe ftoi demokratët dhe shqiptarët të jenë prezentë.

 

“Së pari, dëshiroj t’u drejtoj një thirrje të gjithë demokratëve të Shqipërisë, mbështetësve të PD-së, por edhe të gjithë qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë, të vijnë nesër në festën e hapjes së fushatës elektorale të koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’.

 

Kjo fushatë karakterizohet nga një frymë e shkëlqyer optimizmi dhe besimi në fitoren e njëjtë me atë të vitit 1992”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, PS hapi fushatën zgjedhore në qendër të Tiranës dhe prezantoi logon e saj për këto zgjedhje: Kurrë më mbrapa, përpara!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re