Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar mandatin e katërt qeverisës të Partisë Socialiste si një “barrë historike”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një mandat të zakonshëm, por për një amanet që kërkon përkushtim maksimal dhe përgjegjësi të thellë.

Duke theksuar objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, Rama e cilësoi këtë mandat si “provën më të madhe të karakterit dhe të atdhedashurisë” për të gjithë anëtarët e shumicës parlamentare. Ai bëri thirrje për përkushtim, urtësi dhe ndjenjë solidariteti brenda skuadrës socialiste.

“Mandati i katërt që sapo kemi marrë është një histori më vete. Nëse në familjen tonë të madhe fitorja matet me numrin e mandateve që morëm, për ne, mandati i katërt duhet të matet me barrën e stërmadhe të një përgjegjësie historike që populli e hodhi mbi supet tona me peshën e plot 83 mandate. Janë 83 gurë në kurriz.

Ky nuk është një mandat i radhës, por një amanet që vjen nga shumë larg dhe që ne patëm fatin të ndodhemi në kohën dhe vendin e duhur dhe kemi privilegjin të na jepet mundësia ta çojmë në vend, duke i kthyer 4 vitet që vijnë në provën më të madhe të karakterit dhe të atdhedashurisë, për ta ngjitur Shqipërinë 2030 në majën ku qëndron shtëpia e BE. Të gjithë ne këtu jemi të parët që duhet tja nxjerrim deri në fund të gjithë kuptimin e kësaj prove zjarri dhe tja caktojmë vetes si individë, pastaj si skuadër peshat që duhet të mbajmë medoemos atë të karakterit dhe të atdhedashurisë, për ta udhëhequr të gjithë armatën e kësaj beteje për historinë. Duke  bërë punën tonë me krenari, me urtësi dhe përkushtim. Të gjitha këto duke i mishëruar me një ndjenje kuptimplotë solidariteti mes nesh”, tha Rama.

Në mesazhin e tij, Rama iu drejtua edhe atyre deputetëve që nuk do të rikthehen në Kuvend pas zgjedhjeve, duke i nxitur të shohin situatën si një mundësi të re për rritje profesionale dhe kontribut politik në forma të tjera.

“Dua tu them atyre që në shtator nuk do kthehen në Parlament që unë ua mirëkuptoj mërzinë për garën individuale. Nuk ka garë individuale që mund ta humbasësh pa u mërzitur, edhe kur luan me fëmijët me top ke një moment mërzie nëse kupton që ti nuk je më ai i pari dhe ata nuk janë më të vegjël dhe ti u munde.  Por i siguroj se nëse do ta shohin humbjen e vendit të punës si një mundësi të re personale dhe profesione në një tjetër vend pune po në shërbim të të njëjta qëllimeve të përbashkëta, si fitu4es të mandatit historik të 11 majit, jo vetëm do jenë të dobishëm, por do ta pasurojnë karrierën e tyre politike dhe profesionale dhe nëse do të duan të rikthehen në Kuvend të mund të garojnë përsëri në të ardhmen”, tha Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko