Një aksident u regjistrua paraditen e kësaj të mërkurë në zonën e Saukut në Tiranë, ku një autobus i linjës së Petrelës u përplas nga një automjet tip “Audi”.

Gazetarja e ABC News, Xhensila Kodra raportoi se sipas verifikimeve paraprake nga ekspertë të Policisë Rrugore, ka rezultuar se shkak i aksidentit ka qenë një parakalim i gabuar nga drejtuesi i automjetit.

Për pasojë, 6 persona kanë mbetur të lënduar, teksa në Spitalin e Traumës, aktualisht po marrin mjekim drejtuesi i “Audi-t” dhe një pasagjer.

“Në zonën e Saukut, një aksident ka lënë të plagosur 6 persona, dy prej të cilëve vijojnë të jenë të shtruar në Spitalin e Traumës, ndërsa të tjerët, të cilët morën ndihmën e nevojshme mjekësore, u larguan dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Ka qenë autobusi i linjës së Petrelës, që është përplasur me një automjet tip “Audi”. Nga verifikimet e para që Policia Rrugore dhe ekspertë kanë kryer në vendngjarje, ka rezultuar se shkak i këtij aksidenti ka qenë një parakalim i gabuar nga drejtuesi i automjetit tip “Audi”, ku për pasojë ka mbetur i dëmtuar dhe po merr trajtim në Spitalin e Traumës. Në spital, vijon të ndodhet, përveç shofertit të automjetit, edhe një pasagjer”, raportoi gazetarja Kodra.

Njoftimi i policisë

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 10.05.2023, në Sauk, janë përplasur autobusi me drejtues shtetasin B. H., me automjetin me drejtues shtetasin I. A.

Si pasojë janë dëmtuar shtetasi I. A., dhe një pasagjere në autobus, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, pas kontrollit mjekësor, janë larguar nga spitali.

Nga verifikimet paraprake rezulton se drejtuesi i mjetit, shtetasi I. A., ka hyrë kundravajtje duke i dalë para autobusit dhe ka shkaktuar aksidentin.

Po kryhen procedurat për ndalimin e shtetasit I. A.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re