Gjendja e sistemeve të teknologjisë së informacionit ka marrë rëndësi të veçantë në institucione sidomos pas ndodhisë së sulmit kibernetik vitin e shkuar. Alarmi për rritjen e sigurisë por edhe garantimi i ruajtjes së të dhënave pas një ngjarjeje ka qenë i ngritur vazhdimit duke kërkuar përmirësime aty ku shihet e nevojshme.

Këtë herë një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit i fokusuar tek teknologjia e informacionit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore konstaton se ka nevojë për ndërhyrje në disa aspekte për të rritur sigurinë. Kështu referuar auditimit KLSH vlerëson se për periudhën janar 2021- dhjetor 2022 vihen re disa mangësi.

Së pari sipas KLSH konstatohet se investimet në sistemet e informacionit nuk kanë zgjidhur problemet e sigurisë së informacionit, si dhe sigurimin e vazhdueshmërisë së biznesit.

“Zhvillimi i shërbimeve dhe infrastrukturës nuk është mbështetur në praktikat më të mira. Pajisjet fizike, programet softuerike të cilat ndërveprojnë në mënyrë që sistemet të operojnë, janë të pa përditësuara (në fund të jetës) e nuk ofrohet mbështetje nga prodhuesi. Nga auditimi i sistemeve kryesore, duke u bazuar në performancën e veprimeve me tregues si: koha e përgjigjes, koha e përpunimit, përdorimi i burimeve të sistemit, komentet e përdoruesve, rezulton se sistemet i përgjigjen me vonesë kërkesave të përdoruesve. Në gjykimin tonë, identifikimi dhe administrimi i elementëve kritikë në ofrimin e shërbimeve dhe garantimin e sigurisë së të dhënave, si dhe të vazhdimësisë në ofrimin e shërbimit nëpërmjet Teknologjisë së Informacionit është i pamjaftueshëm”, thuhet në raportin e KLSH.

Një tjetër element që sillet në vëmendje është fakti që ISSH ende nuk ka kaluar strukturat përgjegjëse TIK tek AKSHI, si dhe të bëjë dorëzimin e Sistemeve dhe Infrastrukturës TIK ekzistuese nën administrimin dhe inventarin e AKSHI-t, së bashku me të drejtat dhe detyrimet juridiko-civile sipas përcaktimeve dhe afateve të vendosura në VKM Nr. 673, datë 22.11.2017, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtarë të Shoqërisë së Informacionit”, i ndryshuar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re